Erdhe muzg , natë shkove
S’kisha faj unë i ziu,
Syt’e tu më ndiznin zjarr,
Dhe qershiza vetvetiu,
Lulëzonte në janar.
Nuk di në ish dashuri,
Mos u bëra kurreshtar?
Me të gjithë lozje ti,
Ndillje bletët si nektar.
Vite plot kishin kaluar,,
Rrodhi koha si ujvarë,
Tërë jetën e harruar,
As me sy nuk ishim parë.
Jeta qenka si ylberi,
Ngjyrat janë veç për ty,
S’kisha faj unë i mjeri,
Që më treteshin në sy.
Sot të pash në trotuar,
Rrëzove sytë përdhe,
Zbardhur ishte floku ar,
Dhe fytyra rrudhur qe.
Ndala hapin, mos gabova?
Më vështrove me trishtim,
Ç’desh të flisje e kuptova,
Tunda kryet me qortim.
Diç më the me pakëz zë,
Si juga në mugëtirë,
Nga hiret s’kish më asnjë,
Dhe për dreq, ndjeva mëshirë.
Sa e ftohtë dora jote,
Mu duk se fryu veri,
Si dimrat e kësaj bote,
Veshur ngricat kishe ti.
” E di, isha lozonjare,
- me guxim, në fund më the,
-Pse të bëhem gënjeshtare?
Ty të doja, të bëj be “
Dhe si hije u largove,
Për ku? S’u bëra merak,
Erdhe muzg dhe natë shkove,
Tretur territ pakngapak.
