Friday, December 26, 2025
BallinaVitrina e libritPajtim Xhelo-Ke thënë ndonjëherë " O nëna ime?"

Pajtim Xhelo-Ke thënë ndonjëherë ” O nëna ime?”

Ke thënë ndonjëherë ” O nëna ime?”
(Kushtuar mikut tim, vëllait tim, Ahmet Brahimi, i cili nuk e njohu nënën kurrë, sepse i vdiq kur ishte disa ditësh dhe e rriti i ati)


Kam dashur të të pyes miku im,
Kur u rrëzove the : ” O nëna ime? “,
E thirre ndonjëherë në gëzim,
A lotë derdhe shpesh në hidhërime?


Ne të tjerët na puthi, na dha gji,
Na zgjati dorën në hapin e parë,
Ti s’e kishe as në fotografi,
Të përqasje buzëqeshjen e vrarë.


E di, kur je trembur ëndrës , në gjumë,,
Nënën kërkove të rrinte me ty,
Nata katile mblidhte lotët lumë,
Për fatin tënd shpërfillës…Për të dy.


Një ditë, papritur, hapin ndalove,
Ç’dritë hyjnore vura re te ti,
Ngrite dorën dhe me gisht më tregove,
Djalkën që iu hodh nënës në gji.


E puthte ajo grua si e marrë,
I thosh : ” Thesar, jeta ime je ti! “
Mos vallë për ty qe hera e parë,
Që ndjeje ëngjëlloren dashuri?


Miku im, vëllai im, ti s’dëgjove,
As dridhje shpirti, as një përmallim,
Kur u gërvishte, a kur u rrëzove,
Nuk të tha kush : ” U vrave biri im?

“.
Një ditë, kur mua më la im atë,
Fati na kish afruar ne të dy,
Dikur më the do duhej koh’ e gjatë,
Të mësohesha vetëm me një sy.


Një çast, tani po qesh, se mu kujtua,
Me dy shoqe ramë në dashuri,
Veç ndjenja e parë shpejt u harrua…
Na priste rrugëtimi në rini.


Nuk kam turp të them, gjithnjë thërres nënën,
Dhe tani që ndihem vjesht’ e vonuar,
E kisha, e njoha, si nata hënën,
E di, vëlla, ti i flet; veç zëshuar.


Mos ki dert, është shpirt’ i saj me ty,
Natën në yje dhe ditën përgjon,
Nëna – ëngjëll mbrojtës të ka në sy,
Hije, pas teje, të flet, të dëgjon.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT