Lisi plak dhe filizi i ri
Në skaj të fshatit jetonin nip e gjysh,
Nuk ndihej kurrë dimër n’atë shtëpi,
I vockli pyeste plakun si e qysh,
I vjetri lumturohej si në rini
.
Pa prindër e la lufta djalin, jetim,
Kohë të tëra s’foli, rrinte vetmuar,
Një ditë, kur drita qe në perëndim,
Një emër mes lotësh ai kish shqiptuar.
U habitën në fshat, kush ishte ky ” Fran”,
Një emër i padëgjuar asnjëherë,
Ai fshat kish qenë prej kohësh dardan,
Po ashtu, edhe përqark fshatrat e tjerë.
E pyetën vocrrakun, po s’foli më,
E shihnin përlotur dhe vunë merak,
Një grua, e pasigurt tha me pak zë :
” Nëna e tij diku kish një baba plak!
“
Brofi në këmbë fëmija dhe mes lotësh,
Zëri i kumboi : ” Është gjyshi im!”
Vogëlushi që kish mbetur mes dy botësh,
U çel se nuk do t’i thoshin më jetim.
Një hap i plakut në dimër kish kaluar,
Dhe hapin tjetër e hidhte me kujdes,
Fati i keq në vetmi e pat dënuar,
Veç një diell po e ngrohte në mëngjes.
Zoti i Vetëm, kur Jetën e krijoi,
Nuk i ndau në të lumtur e fatkeq,
Kur njerëzit plagosën, Ai shëroi…
Kur Bota shkatërrohet, Ai e ndreq.
Fran quhej plaku, vogëlush Brian,
Pa i lidhi një hyjnore dashuri,
Shpesh i thoshte gjyshi : ” Ti je trim dardan! “
Djali ndizej flakë, si një yll i ri.
Sapo agonte , çohej me ngut i vjetri,
Tej, kopështit këpuste një trëndafil,
Te dora e kish kur hapte sytë tjetri,
Hidhej , këndonte si pëllumb, si bilbil.
Gjysh e nip të lidhur si mishi me thua,
Kë udha çonte, i shihte me zili,
Diell dhe ajër nga dita merrnin hua,
Natës i vidhnin të shenjtën qetësi.
Për Franin trishtimi tashmë qe harruar,
Lisi plak kish pranë filizin e ri,
Kur të rrëzohej, s’do mbetej i harruar,
Pa e shihte çdo ditë me krenari.
Zotit i falej çdo mbrëmje, çdo mëngjes,
Sakavja e druvarit vonë ta priste,
Mos të mbetej rruga e gjyshit në mes,
Dhe lisit të njomë degët t’ia rriste
.
Punonte Frani, Zoti i dha fuqi,
E ndihte me gaz vocrraku zbatharak,
I puthte gush’ e ballë me dhëmshuri,
Kur Briani thoshte . ” U lodhe o plak?
“
Rrëmbente shatin, pa niste të punonte,
Kur shihte pëllëmbët e Franit me gjak,
Dhëmbte zemër e gjyshit, pa zë mallkonte:
” Sa i vogël, Zot, jetimit merri hak! “
” Jam rritur o gjysh? “. ” Akoma, jo Brian! “
Pyeste i vogli para se të flinte
” Do më thuash kur të bëhem trim dardan? “
” Po * thosh plaku dhe ëndrrës shpresa i printe.
Dikur, tek ujiste përdhe Frani ra,
U përpoq ta ngrinte djali, po mëkot,
Klithi, derdhi lotë, ashtu kur e pa…
Qiellin pa egër : ” Prap jetim o Zot? “
Ish vjeshtë kur spata preu lisin, Franin,
Në lirishtë po këndonte një bilbil,
Veç Afërdita e pa Brian dardanin…
Te varr’ i gjyshit çoi një trëndafil.
Dikur u rrit , lis i madh u bë Briani,,
Shkonte shpesh te varri, çonte trëndafil,
Mes lotësh thosh : ” Gjysh, u bëra trim dardani? “…
Dhe vajtonte e këndonte si bilbil.
