Me merak po na shohin të Parët
Nëse të heshtur endemi çdo ditë,
Në botën kurtizane, gënjeshtare,
Përcjellim mirësi, përcjellim dritë,
Dhe nuk kërkojmë shpërblim, as pare.
Nëse kësaj toke nxitojmë hapin,
Ndjejmë çdo tingull, kur thellë rënkon,
Dhëmbja merr dhenë, meraku merr vrapin,
Dhe shpirti i përgjakur kalëron.
Troket në pragjet tona bes’e thyer,
Në ëndrra na kërcënon tradhëtia,
Një racë e re, baltosur, përlyer,
Ka vënë kurorën ” Mis virgjëria”
.
Me zë të çjerrë këlthasin, bërtasin,
Eh, ne të mjerët, veshët ç’na dëgjojnë,
Shohim budallenj që duartrokasin,
Dhe korba të zinj, që veç spiunojnë.
Kokat rruar, disa edhe pa brekë,
Mjekrat si cjepë, se brisqe nuk ka,
Në lokale bosash i sheh çdo drekë…
Kuaj servilat, kalorës ata.
Të mjerët ne, varfanjakë, zëshuar,
Ç’na shohin sytë…T’i tregojmë varrit,
Mallkojmë veten…S’paskemi jetuar,
Ishim veç vatër për hirin e zjarrit.
Hap televizorin, po mbylli sytë,
Do shohësh rufjanët në Parlament,
Ca kuaj atllarë, ca dor’e dytë,
Veç lëkura s’u vlen as një cent.
Kusari bërtet : ” Kapeni hajdutin! “
Dhe kurva : ” Thuama sa s’ta kam thënë! “
Më mirë t’i përzemë si çifutin,
Larg botës sonë…Në Mars, a në Hënë.
E nëse heshtim në mallkimin tonë,
Ne s’e dinim që do vinte kjo ditë,
Mos për shqiptarët tani është vonë?
U shua ylli ynë, nuk bën dritë?
Kështu do ta vrasin kohën shqiptarët,
Ende nga bota do presin mëshirë?
Me merak po na shohin dhe Të Parët…
Nëpër ëndrra na flasin ndaj të gdhirë.
