Wednesday, February 25, 2026
BallinaVitrina e libritPajtim Xhelo-Mësova heshtur të të pres

Pajtim Xhelo-Mësova heshtur të të pres

Mësova heshtur të të pres

Drenushë e parritur, lozonjare,
të solli fati tek ai burim,
zbrisje nga shkëmbenjtë si një manare,
dhe uleshe truar te pragu im.


Vraponte koha, pas saj dhe ti u rrite,
aromë pylli sillje çdo mëngjes,
kaluan muaj, ecëm nëpër vite,
mësova unë heshtur të të pres.


Një ditë kur dimri ish në të shkuar,
në lëndinë s’erdhe, as te burimi,
të kërkova gjatë i përmalluar,
mbetën te pragu vetmia, trishtimi.


Ngrihesha natën, se s’më zinte gjumi,
kur frynte era më dukeshe ti,
rridhte burimi që derdhej te lumi,
veç hija jote mbetur kish tani.


Vinin te kroi drenusha çdo ditë,
shuanin etjen, luanin me mua,
në syt’e tyre nuk qe ajo dritë,
nga e cila shpirti im u verbua.


Vitet më thinjën, koha më motoi,
ëngjëll si ajo s’njoha kurrë më ,
sa këngë të harruara më zgjoi,
më dehu, më bëri rob përgjithnjë.


Dhe s’e harrova manaren e truar,
hije më mbeti, s’e largova dot,
te pragu e shihja ashtu, vetmuar,
prita të kthehej, veç shpresova kot.


Edhe pse lodhur, sërish çdo mëngjes,
pres të shoh drenushën në pragun tim,
qesh hidhur, i hedh hapat me kujdes,
dhe nxitoj me të në përfytyrim.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT