Unë ciganen e kam besuar
Të lehtë s’e kisha, por po ta them,
E di që do ta quash marrëzi,
Veç i gjykuar më mirë të jem,
Sesa n’udhëkryq një pasiguri.
Heshta, se heshtja më pat robëruar,
Dhe guximin e përbuzja shpesh herë,
U bëra mik me dhëmbjen e trishtuar,
Sa keq e braktisa shpresën e mjerë.
E di që koha ndoshta ka kaluar
Të tjerët mund të thonë : ” Sa çudi! “
Mendoj se për ne kështu ishte shkruar,
Të rendim pas kohës me hap të ri.
Rrugës, dy ectarë të papenguar,
Pse të na zërë bora pleqëri,
Kuaj të vjedhur, në terr, të vetmuar,
Nuk bëhemi dot, as unë, as ti.
Mbase padurimi më ka verbuar,
Veç ti me mua mos qesh, mos u tall,
Ka kohë, një cigane e bekuar,
Për ty më foli kur hodha një fall.
Me fjalë shpirti e falënderova,
Fjalë zemre më tha edhe ajo,
Mos u habit, ciganen e besova,
Kur më tha : ” Më mos prit, ajo të do!
“
Do qe më mirë gabim’ i gjykuar,
Se të mbetesh merak i përtërirë,
E shenjtë një plagë e pashëruar,
Se të lëndohesh çdo çast pa mëshirë.
Nuk dua të hesht më, ja, po ta them :
Një jetë të tërë s’të kam harruar,
Do të dua edhe kur të mos jem,
Me shpirt e me zemër i robëruar.
Në heshtje vuan edhe ti, e di,
Pa unë ciganen e kam besuar,
Përse ndarë kështu, në dy vetmi,
Kur fati na ka shkruar të bashkuar?
