Më ka mbetur veçse krenaria
E butë, si një dantellë e bardhë
Me të mbulohem netëve
Teksa fshij lotët e tharë!
I kërkoj gabimet brenda vetes
Ajo e përulësisë, më rëndon më shumë
Një shpirt dembel i thyer në mes
E disa ëndrra, të vëna në gjumë!
Në muret e dhomës derdhet zëri i vetëdijes
Karakter i rrëmbyer, si shkumë e bardhë
Sikur ta dija ç’tregonin retë e zeza
dhe imazhi i çmendur, varur në tavan!
Kufijtë e ngushtë të kësaj bote
I mblodha rreth vetes si mburojë,
Ç’ishte e rëndësishme e mbajta për vete
Të tjerat ia dhashë erës, që të m’i shërojë!
