Cristiano Ronaldo e shënoi mbrëmë golin e 50-të personal në vitin 2023 në fitoren ndaj Al-Shabab në Saudi King Cup.
Ylli portugez realizoi në minutën e 74-t pas një bashkëveprimi me Otavion, një tjetër përfaqësues portugez.
Paraprakisht, për Al-Nassr kishin shënuar Seko Fofana, Sadio Mane e Abdulrahman Ghareeb në fitoren 5:2 ndaj Al-Shabab.
Pasi e shënoi golin e 50-të në vitin 2023, Ronaldo u zëvendësua me një ovacion të lartë në minutën e 82-të.
Pas lojës, 38 vjeçari e bëri një postim në rrjetin social, Instagram.
“Fitore e madhe dhe jam i emocionuar t’ju njoftoj me golin tim të 50-të në vitin 2023, e gjitha kjo falë mbështetjes së bashkëlojtarëve, tifozëve dhe të familjes sime. Ka ende vend për gola të tjerë këtë vit”, shkroi pesë herë fituesi i Topit të Artë.
Kjo fitore e ndihmoi Al-Nassr të kualifikohet në gjysmëfinale të Saudi King Cup për herë të dytë radhazi.
Ky ekip do të mundohet ta ketë eksperiencë më të mirë në këtë edicion pasi vitin e kaluar ishte eliminuar në gjysmëfinale nga Al-Wehda.
Prej 50 golave të shënuar këtë vit, Ronaldo i ka realizuar 40 në Saudi Pro League dhe 10 me Kombëtaren e Portugalisë.
Ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit i ka shënuar nga 50 e më shumë gola në tetë vite kalendarike, duke e rivalizuar kështu përsëri Lionel Messin, i cili e ka shijuar këtë shifër nëntë herë në karrierë.
Ronaldo do t’i ketë edhe së paku tri ndeshje para përfundimit të vitit 2023, duke nisur nga Al-Ettifaq i trajnerit Steven Gerrard të premten e 22 dhjetorit në Saudi Pro League. /Gazeta Express/
