Sunday, November 16, 2025
BallinaVitrina e librit"PËLHURA" E MUNGESES Frymëzuar nga poezia e autores, Ermira D. Ifandi, me...

“PËLHURA” E MUNGESES Frymëzuar nga poezia e autores, Ermira D. Ifandi, me të njëjtin titull.

Nga Margarit Done

Ka poezi që nuk duan shumë fjalë për të thënë gjithçka. Ato vijnë si një frymë e lehtë, por që përplaset thellë në shpirtin e lexuesit dhe lë një heshtje të gjatë pas. Kjo është ndjesia që lë pas vetes poezia “Pëlhura e mungesës”, një tekst i shkurtër në dukje, por që përmban brenda gjithë thellësinë e një mendimi mbi boshllëkun, vetminë dhe dashurinë që mungon.
Vargu i parë është një hapje tronditëse:
—-
“Si një foshnjë pa djepin e lindjes”
—-
Një figurë që tejkalon metaforën dhe bëhet plagë. Në këtë imazh qëndron e gjithë drama e shpirtit njerëzor të kohës sonë, i lindur, por pa mbështetje, pa ngrohtësinë e përqafimit të parë, pa sigurinë e përkatësisë. Një jetë që nis në boshllëk, që rritet në mungesë dhe endet pa busull në horizontin e vetmisë.
—-
“Si një qytet pa banorë”,
—-
vazhdon poezia, një qytet i zbrazët që s’është vetëm vend, por gjendje. Është metafora e “zemrave” moderne, të mbushura me pasuri materiale, por bosh nga pranitë e vërteta. Qyteti është simboli i shoqërisë sonë të lidhur teknologjikisht, por të ndarë emocionalisht. Një vend ku zhurma fshin zërat dhe ku njerëzit nuk jetojnë, por thjesht qarkullojnë.
Ndërsa vargjet përmbyllëse e vulosin këtë ndjesi me një forcë të heshtur poetike:
—-
“Endur pëlhura e kohës,
/ endur pa gjilpërë, /
pa fillin e dashurisë.”
—-
Koha si një pëlhurë që mundohet të bëjë kuptim, por pa mjetin që e ngjiz, pa “gjilpërën” që lidh, pa “fillin” që mban, pa dashurinë që jep formë dhe kuptim ekzistencës. Lind pyetja.
Ç’është jeta pa dashuri?
Një pëlhurë e shpërndarë në erë, një kujtim i padukshëm, një epokë e zhveshur nga ndjenja.
Në këtë poezi,”mungesa” është elementi qendror, jo vetëm si një gjendje e jashtme, fasadë, por si një përjetim i brendshëm. Ajo është mungesa e fjalës së ngrohtë, e pranisë së duhur, e përqafimit që s’erdhi kurrë. Një mungesë që përshkon jo vetëm jetën intime të individit, por tërë frymën e kohës sonë.
Në këtë dritë, “Pëlhura e mungesës” mund të “lexohet” edhe si një “lament për kohën moderne”. (Vajtim ose ankese e dhimbshme) Një kohë që “vrapon”, por nuk ndalon për të ndjerë. Një shoqëri që ka harruar artin e ngadalësisë, të përqafimit, të ndjeshmërisë së thellë. Një shoqëri që ka nevojë për më shumë dashuri, jo si ndjenjë romantike, por si veprim themelor njerëzor.
Në fund, kjo poezi është një heshtje që flet më shumë se fjalët. Një qetësi që të thërret të ndryshosh, të kujtosh çfarë do të thotë të jesh i gjallë jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Sepse në fund të fundit, edhe vetë shpirti ka nevojë për një “djep”, një vend ku të ngrohet, të dashurohet, te prehet por edhe te vdesë.
Urime Ermira!

PËLHURA E MUNGESËS

Si një foshnjë, pa djepin e lindjes…
Si një qytet pa banorë…
Endet pëlhura e kohës,
e thurur pa gjilpërë,
pa fillin e dashurisë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT