I ftohti i mbrëmjes të than pa mëshirë,
Ndërsa fundi i dhjetorit orët po numëron,
Përgatit fjalimin për të thënë “lamtumirë”
Dhe vitit që vjen mirëse ardhjen i uron.
Kjo traditë e vjetër dhjetorit i ka mbet
Të pres me fishekzjarre vitin që vjen,
Viti i vjetër një nga një shkallët zbret
Ndërsa ëndërrat tona, si gjethe bjen.
Me sytë nga qielli lutemi me shpresë
Që zoti të na sjellin atë që ka premtuar,
Ndërsa dielli lind dhe vjen çdo mëngjes
Por zoti çuditërisht, na paska harruar.
Dhe sytë ne prapë nga qielli i mbajmë
Se ndoshta një ditë do të ndodhë diçka,
Edhe kur lindim vdekjen tonë e qajmë
Se jeta vjenë njëherë dhe të dytë nuk ka.
Por sido që të vijë, atë shumë e duam,
Si me netë pa hënë dhe ditë diellplotë,
Në qiell shumë lart më ëndrrat fluturuam
E kur humbim dashuritë derdhim pak lot.
Më i vështirë ky vit me ditët që pas lamë
Me shpirtra të tronditur e ëndërra të vrarë,
Në sytë e njerëzve shumë dhimbje pamë
Dhimbje edhe mall për së gjalli të ndarë.
Gjithashtu edhe tek unë diçka ka mbetur,
Gjurmë të thella tek një shpirt i tronditur,
Varfëria e madhe tek njerëzit më ka prekur
Kur shoh nëpër rrugë vocërrak të mitur.
Me dorën e vogël pak lëmoshë kërkojnë
Me fytyra të zbehta dhe lotët që pikojnë,
Nëpër rrugët e ftohta të zbathur vrapojnë
Një jetë më të bukur dhe ata ëndërrojnë.
Kjo botë e pabesë me fasadë mashtruese
Është përherë e ndarë sikur dje dhe sot,
Të pasuritë notojnë në ëndërra fluturuese
Ndërsa të varfërit buzëqeshin me lot.
Buzëqeshin e qajnë me lot nga hidhërimi
Se asgjë në jetën e tyre s’ka ndryshuar,
Por me gotat në dorë i ëmbël vjen urimi
Sëbashku njëri- tjetrin e urojmë “GËZUAR..!”
