Tetori dhe nëntori ikën ndoshta më shpejt, nga që nuk e prisja kështu, prandaj mua m’u duk çudi që muaji dhjetor sikur erdhi papritur, me disa ditë të ftohta, që na bëri të visheshim pak më trashë dhe me triko leshi. Vajzat i mbuluan gushat e tyre me shallë të ngjyrave të ndryshme duke veshur edhe palltot e mëdha me pantallona stofi që ishin në modë atë vit. Para dite ndonjëherë dilte ndonjë diell i dobët që nuk të ngrohte më, ndërsa mbasdite frynte një erë që sikur të priste me thikë fytyrën dhe i ngrinte përpjetë gjethet e rrëzuara në tokë. Nga kjo krijohej një pluhur, që ishte i bezdisur se të binte në fytyrë. Megjithatë, nga kjo ndërhyrje e erës, qyteti dukej i pastër çdo ditë.
Në klasë kishin vënë një sobë me dru që e ndiznim çdo ditë sa për t’u ngrohur pak se po bënte ftohtë. Kishim vënë një listë që vetëm ne djemtë do të kujdeseshim për çdo mëngjes në ndezjen e sobës, por në fakt në të shumtën e rasteve e ndiznin Tom Biti me Pal Stekon sepse e kishin si hobi.
Marrëdhëniet me Marjanën po shkonin shumë mirë dhe tre herë në javë takoheshim çdo mbasdite për të studiuar së bashku. Nga që ishte ftohtë shumë herë më thërriste tek shtëpia e saj që të studionin se kishte ambjent të ngrohtë dhe këtë propozim e kishte bërë e ëma e saj në mënyrë që Marjana mos të dilte mbasditeve se errej më shpejt.
Në fakt unë tek shtëpia e saj nuk ndjehesha shumë mirë, por edhe Marjana të njëjtën gjë ma kishte thënë edhe ajo vetë. Vetëm ndonjë mbasdite kur e ëma do të dilte nga shtëpia për ndonjë punë ne ishim më të qetë dhe ajo do të përfitonte nga mungesa duke më puthur të shtrirë të dy në krevatin e saj. Por ishim shumë të kujdesshëm se mos vinte ajo papritur dhe na gjente duke u puthur dhe do të prishej gjithë ajo kala që kishim ndërtuar ne vetë, por unë e mendoja se një ditë do të ndodhte diçka e tillë. Çfarë mendoja unë ia kisha shprehur edhe Marjanës por ajo ngulte këmbë që s’do të ndodhte asgjë të tillë.
Prindërit e saj s’do të ishin dakort me dashurinë tonë, se mendonin për Marjanën një jetë shumë të mirë ashtu si çdo prind, ta shihnin të martuar me një djalë me ndonjë punë të mirë dhe në kryeqytet. Ajo më kundërshtonte për mendimet që kisha unë nga që ishte e dashuruar shumë me mua. Çdo mbasdite kërkonte të më takonte edhe kur nuk kishim për të studiuar duke nxjerrë ndonjë arsye ose për të takuar ndonjë shoqe, o për të shkuar në bibliotekë për ndonjë libër, për mamanë që ndonjëherë e kundërshtonte.
Në kinemanë e qytetit sapo kishte ardhur një film i ri “ Përrallë nga e kaluara “ dhe kishte dy ditë që po shfaqej.
Filmi ishte i bazuar mbi një variacion të komedisë “14 vjeç dhëndër “ të A. Z. Çajupit dhe tregon historinë prekëse por edhe komike në të njëjtën kohë të Gjinos, një djalë 14 vjeçar të cilin familja e detyron të martohet me Marigonë 20 vjeçare, pasi Marigoja shihet si krah pune. Marigoja nga ana e saj, vajza më e bukur e fshatit, dashuron Trimin, një dashuri kjo reciproke e dy të rinjve, por që duhet të bëhet fli për hir të zakonit, ku gruaja shihej si krah pune për të ndihmuar në punët e bujqësisë dhe të shtëpisë, ndërsa burri rrinte nën hije dhe kuvendonte. Tipike për një shoqëri konservatore dhe patriarkale, të cilën Çajupi e kishte fshikulluar në veprën e tij të viteve ‘30. Këtë libër e kisha lexuar para një viti dhe më kishte pëlqyer shumë. Tani që ishte realizuar në film kisha dëshirë që ta shikonim në kinema. I thashë edhe Marjanës që të organizoheshim dhe kush kishte dëshirë të shkonim dhe ta shikonim si klasë. Këtë propozim e priti mirë Iliriani por edhe shumë vajza dhe djem të tjerë. Po ashtu edhe kujdestarja e klasës që ishte Rita Lala do të merrej në organizimin dhe caktimin e një mbrëmjeje që të shkonim në kinema.
U caktua dita e shtunë në darkë duke qënë dakort të gjithë. Ishte ditë e mërkurë dhe do të prisnim edhe dy ditë të tjera deri të shtunën. Mbasditeve përveç një orë që rrija duke studiuar me Marjanën, rrija deri vonë se isha duke shkruar disa skeçe për estradën e naftëtarëve që po përgatitej për të dhënë një shfaqje në prag të vitit të ri. Ndërsa xhaxhai rrinte në skenë me aktorët amatorë dhe ishin në përfundim të provave që zgjateshin deri më orën dymbëdhjetë të natës, nga që ishin të kënaqur si nga skeçet dhe nga loja e aktorëve amatorë.
Në estradë merrte pjesë edhe Liljana Rrena si këngëtare dhe aktore me gjithë Rita Lalën që ishte dhe konferenciere. Atë mbrëmje xhaxhai erdhi me një djalë që ma prezantoi si inxhinieri i ri që kishte ardhur për të bërë stazhin në këtë sektor të naftës. E quanin Kristaq Stambolliu. Prindërit i kishte nga fshatrat e Lushnjes por banonin në Tiranë dhe babai i tij punonte në një dikaster të rëndësishme në ministrinë e jashtme. Kur xhaxhai po merrej me provat e shfaqjes Kristaqi erdhi afër meje tek biblioteka dhe po shikonte titujt e librave që ishin vendosur nëpër rafte. Më pyeti se si po shkoja me mësimet, duke më këshilluar që të studioja shumë që ta kisha më lehtë për të vazhduar universitetin. Në atë çast unë po i hidhja një sy një skeçi që demaskonte mendimet patriarkale në një familje naftëtarësh që nuk e lejonin që vajza e tyre të studionte për inxhiniere nafte por donin që vajza të studionte për doktoreshë apo për mësuese. Po e diskutonim me Kristaqin, pasi e lexoi edhe ai këtë skeç duke më thënë të ndryshoja diçka. Aty duhet të luftonte vetë vajza në familje për t’i mbushur mëndjen prindërve që të mos e pengonin në realizimin e dëshirave të saj. Më vonë në shfaqje ky skeç u pëlqya shumë dhe për këtë më përgëzoj edhe vetë sekretari i komitetit të rrethit për kulturën, babai i Marjanës kur ishte në provat gjenerale. Aty ishte edhe Marjana kur ai më shtrëngoi dorën për punën në pregatitjen e skeçeve. Më vonë ky skeç do të ishte bërthama e një drame që do të shkruaja nga viti i katërt me titullin “ Vajza e një Naftëtari.”
Me Kristaqin nga që vinte shpesh dhe merrte libra në bibliotekë, ndonjëherë rrinte me orë të tëra duke shkruar aty për të pregatitur një temë që e kishte për provimin përfundimtar, “ Mbi çpimet për naftë në zonat kodrinore ”. Duke ardhur shpesh krijuam një miqësi së bashku dhe diskutonim më gjëra të ndryshme.. Më dukej djalë i mirë, me kulturë dhe i respektueshëm. Dinte të komunikonte me naftëtarët duke bërë edhe shaka me të gjithë. Gjithashtu edhe ata e donin dhe e respektonin shumë.
Ishte ditë e shtunë në darkë dhe shokët po më prisnin tek kinemaja për të shikuar filmin “14 vjeç dhëndër” mirpo unë po vonohesha se kishte ardhur drejtori i zonës së naftës dhe po diskutonin për shfaqjen e ardhëshme aty tek salla e kulturës. Duhet t’u merrja leje se kishte ardhur tek dera dhe ma bënin me shënja Marjana me Rita Lalën që të mos vonohesha më se për dhjetë minuta mbyllej dera e kinemasë. U dëgjua dy tre herë zëri nga autoporlanti i kineoperatorit që lajmëronte se pas pesë minutash do të mbyllej dera. Inxhinier Kristaqi që ishte aty pranë meje i pa vajzat që po ma bënin me shënjë dhe ndërhyri duke i marrë leje drejtorit që ai bashkë me mua do të dilte për një problem dhe kështu dolëm. Duke e falenderuar Kristaqin që më nxori nga ajo situatë u largova me vrap me të dyja vajzat për në kinema. Inxhinier Kristaqit i kishte rënë në sy bukurija e Marjanës dhe më pyeti mbas dy ditësh për atë. I thashë që është vajza e sekretarit të partisë së rrethit duke thënë fjalë të mira për Marjanën, që ishte një vajzë e shkathët, studion dhe ka karakter të fortë. Dallohet nga të gjitha vajzat në shkollë, si për bukuri për dhe e mënçur, vishet elegante. Duke i folur kështu për Marjanën fjalë të mira që më dilnin dhe nga shpirti sepse e dashuroja atë, nuk mund ta merrja me mend se mund të bëja diçka që ndoshta do të pendohesha më vonë. Arritëm tek dera e kinemasë kur edhe dy minuta do të mbyllej dera. Marjana duke vrapuar më kishte kapur dorën dhe vinte pas meje.
Në sheshin para shtëpisë së kulturës ishin grumbulluar shumë njerëz dhe po shihnin aty bredhin e vitin të ri që sapo e kishin sistemuar punëtorët në tokë dhe dy elektriçista po i vinin dritat elektrike për t’a ndriçuar. Kur kaluam pranë u ndezën të gjitha dritat e bredhit duke ndriçuar edhe gjithë sheshin përpara dhe u dëgjua një brohoritje nga të gjithë të pranishmit që ishin në shesh. Sapo hymë brenda në kinema po na prisnin shokët dhe shoqet që i kishin zënë vëndet sipas biletave. Salla ishte mbushur plot e përplot. Ilirian Shahu ishte në këmbë tek radha jonë i mbështetur tek muri anësor i kinemasë, po na priste ne dhe po bisedonte me Tom Bitin dhe Pal Stekon. Se çfarë po u tregonte atyre që po e dëgjonin me interes nuk e mora vesh dhe nuk e pyeta.
U ulëm nëpër vendet tona dhe Marjana kur u ul pranë meje më kapi dorën në errësirë sapo u fikën dritat. Në anë e djathtë timen u ul Iliriani dhe e vuri re që Marjana më kishte kapur dorën dhe më ra me gju me nënkuptim. Mbas Ilirianit ishte ulur Liri Topalli dhe mbas saj Lina Noti. Ndërsa në të majtën mbas Marjanës ishte ulur Rita Lala, që gjithmonë nuk i ndahej se ishin shoqe. Vazhdonin më tutje dy motrat binjake Marga dhe Lirika Koçi, mbas tyre Mira Koli dhe Meri Ndini dhe mbas saj ishte ulur Jani Prifti dhe disa djem të tjerë. Me sa kisha kuptuar pak, Meri shoqërohej shpesh me Jani Priftin dhe kishin krijuar më shumë se një miqësi. Nuk kishin ardhur e gjithë klasa. Kur filloj filmi e gjithë salla ra në qetësi. Po shikonim me vëmendje të gjithë. Muzika, aktorët që për ne ishim idhuj, ishim shumë kurioz për vazhdimin e filmit. Në një pjesë të filmit kur shfaqet Trimi, dhe e fejuara e Gjinos Marigoja e sheh më dhimbje, me sy të pikëlluar, Marjana më shtrëngoj fort krahun duke më thënë afër veshit tim,;
– Ti je Trimi im.
– Po Gjino , kush është? – e pyeta unë duke i përkëdhelur dorën që e kishte mbështetur tek kofsha e saj. ;
– Nuk e dimë akoma se kush është Gjino, por e kam një parandjenjë se mund ta njoh dhe Gjinon, nuk mund të jetë 14 vjeç, por mund të jetë në një moshë me Trimin , i bukur, me shkollë dhe karrierë. – po i thosha unë asaj dhe vazhduam duke parë filmin. Por ajo nuk e kishte kuptuar thelbin e fjalëve të mija, mbase e kishte kuptuar se po i thosha për veten time, prandaj nuk më ktheu përgjigje.
Mbasi mbaroi filmi dualëm të gjithë një nga një jashtë dhe u grumbulluam pranë bredhit të vitit të ri që ishte rreth nëntë metro i lartë dhe i ndriçuar me llampa elektrike lloj lloj ngjyrash. Po kështu edhe të gjitha ndërtesat e sheshit ishin zbukuruar me ndriçim. Të binte në sy ndërtesa e madhe e qendrës tregtare, ku njerëzit hynin dhe dilnin për të parë por edhe për të blerë ndonjë dhuratë për vitin e ri. Përballë qëndresës tregtare, në anën tjetër të sheshit ishin dyqanet artizanale, që gjallëronin nga lëvizja e njerëzve. Pasi ndenjëm rreth gjysëm ore po largoheshim për në shtëpi të gjithë në grupe sipas drejtimeve të ndryshme. Marjana banon në një pallat më tutje se Rita Lala dhe po më thoshte që ta prisja, që kur të ndahej nga Rita, se kishin të njëjtën rrugë me atë, donte të më takonte përsëri.
U larguan duke na thënë natën e mirë dhe unë mora drejtimin për të ikur për të fjetur ku do të kaloja pranë zyrave të këshillit popullor, por sa shkova deri tek rrobaqepësia u ktheva mbrapa në drejtim të pallateve. Mora kthesën tek ndërtesa e postës së vjetër, sepse aty ishte një rrugicë e pa pastruar nga disa shkurret dhe kallëmbat duke e lënë në të djathtë kishën që ishte bërë depo e armëve të rezervistëve. Kur u afrova pallatit të Marjanës ajo po rrinte në të majtë të hyrjes kryesore , në një vënd më pak të ndriçuar dhe po më priste. I thirra me zë të ulët dhe e prita diku në errësirë. Më kishte dëgjuar dhe pasi pa rreth e rrotull po afrohej në drejtim ku isha unë. Ecën dhe pak duke u afruar ndërtesës që ishte zyra e ndërmarrjes së ujrave. Aty ishin disa pemë të larta dhe nuk dukeshim nga rruga që kalonte aty pranë. U përqafuam të dy dhe po putheshim pa thënë asnjë fjalë. Isha mbështetur tek një plep dhe Marjana kishte ngjitur trupin e saj tek trupi im. Ndenjëm mbi gjysëm ore së bashku duke u puthur aty në këmbë sepse nuk mund të uleshin, ashtu të përqafuar se ishte pak ftohtë dhe duhet të iknim.
Duke dalë ajo mori drejtimin nga pallati i saj ndërsa unë u ktheva dhe mora rrugën në lindje të kishës, do të kaloja pranë depove të grumbullimit, do të vija rrotull që të dilja tek qyteza e naftëtarëve. Në çastin kur Marjana po afrohej pallatit të saj e pa budallai i Rremës, kështu i thërrisnin të gjithë atij. Ai ishte djali i gjeneralit Muharrem Zeqos, që ishte dënuar me pesëmbëdhjetë vjet burg në vitin njëmijë e nëntëqind shtatëdhjetë e katër dhe familjen nga Tirana i’a kishin prurë në qytetin tonë. Djali kishte qenë në vit të parë në universitet dhe kishte dashuruar një vajzë me emrin Marjana dhe nga që e kishin larguar nga Tirana ishte sëmurur dhe ishte me simptoma, fliste pa llogjikë. Sa herë shikonte Marjanën i këndonte këngën italiane të Roko Granata, Marina. Por duke e ndryshuar emrin nga Marina në Marjana dhe e këndonte;
Marjana, Marjana, Marjana,
Ti voglio al più presto sposar,
Marjana, Marjana, Marjana,
Ti voglio al più presto sposar,
Oh mia bella,
Mora, no non mi lashare
No non devi mi rovinare , oh no, no,
No, no, no ,
Marjana iku me vrap kur dëgjoj budallain që po i këndonte dhe u fut menjëherë në hyrjen e pallatit, duke i ngjitur me shpejtësi shkallët. Unë po ikja, duke lënë mbrapa zërin që këndonte Marjana, Marjana, Marjana dhe duke kaluar në një rrugicë të ngushtë mbrapa kishës, me shkurre dhe kallama dhe do të dilja pranë ndërtesës së vjetër që kishte qenë si kovaçhane për në rrugën kryesore. Nga larg në drejtim të kënetës dëgjohej një qarje qeni që të këpuste shpirtin kur e dëgjoje, sikur kishte humbur të zotin. Nuk e di, sepse më kapi një trishtim në ato momente duke kaluar në atë rrugë të pa ndriçuara mirë. Kisha lexuar diçka nga Heminguej për çudi mu kujtua kjo thënie e tij; “ Në momentet tona më të errëta, ne nuk kemi nevojë për zgjidhje apo këshilla. Ajo që ne dëshirojmë është thjesht lidhja njerzore, një prani e qetë, një prekje e butë. Këto gjeste të vogla janë spiranca që na mbajnë të palëkundur kur jeta duket e tepërt.
