TKURRJA E TRURIT
Pasoja të frikëshme, kudo po ndjehen,
Ndërsa globi, vazhdon rrotullimin e tij,
Edhe netët hënore, duket sikur zbehen,
Ndërsa akulli në pole, ka filluar të shkrij.
Ndotja e atmosferës, çdo ditë shtohet,
E pyjet janë tkurrur, me të tyret banorë,
Edhe nga thatësirat, numri pakësohet,
Duke u shtuar, me të tjerë kolonizator.
Qielli i mpirë e i lodhur nga shpërthimet,
Vetëtima dhe ylber, po duken më rrallë,
Retë trazohen, si lehona nga dështimet,
Shohin lumenjtë, që akoma janë gjallë.
Gjelbërimi largohet, internohet në fshat,
Qytetet të shtruara me asfalt dhe beton,
Mendimet arratisen, pa kufij nëpër natë,
Tkurret dhe truri, se s’ka çfarë mendon.
S’po mendohet më, për dashuri reale,
Virgjëreshat do kujtohen si në balada,
Ashtu si zanat, që rrinin dikur në male,
Ndërsa dashurija, do lidhet me kontrata,
E bukura, që ka sunduar ndjenjat tona,
Është tkurrur, nga shumë vese të tjera,
Turpi nuk shëtit, si dikur në orët e vona,
Por është modë, duke iu rritur dhe vlera,
Pasoja të frikëshme, kudo po ndjehet,
Se varfëria e shpirtit, çfarë nuk po pjell,
Edhe dielli po na duket sikur po zbehet,
Por këtë mjegullë, është koha që e sjell.
