Vendi im është aty ku jam, ku askush nuk më shqetëson, ku askush nuk më pyet se kush jam, nga vij apo çfarë bëj.
Të krijosh një vend është e lehtë. Fjala vend do të thotë: ai ose ajo (payse – shqiptohet païse) që jeton këtu. Pra, në lagjen tënde të Tokës, ti miqësohesh me personin e parë që mbërrin dhe me të fundit që mbërrin. Tani je i rrethuar nga miq: ke vendin tënd.
Armiqtë e vendeve janë politikanë të etur për pushtet që shpikin probleme për t’u vënë re, si racizmi sistemik, seksizmi e kështu me radhë, dhe të japin përshtypjen se kur të largohesh nga shtëpia jote, do të ndodhin tmerre.
Njerëzit jetojnë shumë mirë së bashku dhe kënaqen në mënyrën më të mirë që munden. Në çdo lagje, gjithmonë ka dikë që luan rolin e Le Penit, sionistit, islamistit, nacionalistit, fetarit, rojtarit të moralit, apo kush e di se çfarë të çmenduri, dhe ndonjëherë ai ose ajo mund të jetë i armatosur dhe të shkaktojë një masakër.
Asnjë popull nuk dëshiron luftë. Kriminelët janë lakmitarët dhe të fiksuarit pas zotërimit. Armiqtë e tjerë të popullit janë përfaqësuesit e “minoriteteve” që na ndajnë duke bërë dallime midis nesh, kur ne tashmë e dimë se kemi një kulturë të përbashkët njerëzore.
E njohura, fisnore, kombëtare, fetare janë folklori, doket, zakonet.
Të gjitha qeniet njerëzore kulturohen nga ajo që i bashkon: hidhërimet, gëzimet dhe fati i tyre.
Prandaj, nuk ka qenie njerëzore pa kulturë.
Ne duam dhe vuajmë në të njëjtën mënyrë. Dhimbja e dhëmbëve, dashuria, gëzimi i të jetuarit, xhelozia, fatkeqësia, vdekja, lindja, të ftohtit, uria, mjerimi, braktisja, ribashkimet, miqësia, frika dhe urrejtja, kurioziteti dhe ëndrrat janë të përbashkëta për të gjithë njerëzit.
Ne të gjithë jemi një njerëzim, një tokë që duhet pastruar, fara që duhen mbjellë, korrje që duhen korrur.
Ne të gjithë e njohim djegien e diellit, përkëdheljen e erës, butësinë e ujit, pluhurin e tokës.
Ne jemi studiues që shpikim përgjigje për pyetjet e imagjinatës sonë.
Ne jemi poetë për aventurën e të lindurit, të të jetuarit dhe të të vdekurit.
Arti ynë i të jetuarit është arti i të qenit njeri.
Përktheu në shqip Marjeta Shatro Rrapaj