Thursday, January 22, 2026
BallinaVitrina e libritPiro Millona Minella-...” Ëndrrat djaloshare dhe "sheqerka" e Leskovikut...”

Piro Millona Minella-…” Ëndrrat djaloshare dhe “sheqerka” e Leskovikut…”

…Me Nënen e fshatit, Poliksenin shkonim çdo javë ditën e pazarit në Leskovik, për të shitur zarzavatet e “kallojanit”. Ngriheshim herët dhe Nënja kishte gomaricë e kapja unë nga kapistalli dhe udhëhiqnim grupin e çarshovallinjve për në Leskovik. Arrinim në mëngjes herët. Gomaricën Nënja e lidhte tek oborri i krushkes, Ollgës së Dangave. Merrte dy kasat plot me zarzavate dhe dilte në pazar dhe shiste.

Unë pasi haja mëngjesin tek Ollga dilja me Benin vërdallë nëpër Leskovik.

Një qytet i vogël por tepër piktoresk.

Kur u futëm me Benin në dyqan për të blerë “sheqerkat” që vinin nga Kolonja hynë dhe dy çupa të reja leskoviqare. Versnike me mua ose edhe pak më të vogla. Më ngelën sytë tek njëra. Po e shikoja me vëmëndjen më të madhe.

Fytyrë tepër e bardhë me ato faqet e njoma të lëmuara, me flokët e zinj të gjatë që i mbulonin supet, sy të zinj të mëdhenj dhe të qeshur.

I lashë të blenin më parë dhe kur iken ajo kthehu kokën dhe në cepin e buzëve dallova një buzëqeshje të lehtë .

Pas pak dolëm edhe ne të dy dhe i ndoqëm nga larg.

Ato kaluan afër kodres nga ana e spitalit dhe në rrugicën e ngushtë u zhdukën të dyja. Une akoma kisha imazhin e saj në sytë e mi djalosharë.

Të dielën tjetër përsëri në Leskovik, madje këtë herë isha pispillosur pak. Kisha veshur rroba më të mira isha krehur me flokët e lagur me sapun pak të ngrira dhe kisha marre edhe gjethe borziloku që të më binte edhe erë e mirë.

Përsëri në rrugët e Leskovikut nga rrapi dhe nga dyqani në të majtë i Berberit, Kiço dhe deri tek Posta ku punonte Pavlina goca e tezes.

Kur nuk vonoi shumë dhe përsëri ato dy çupat që na “ngacmuan” atë ndjeshmëri djaloshare u dukën kur po vinin në rrugën kryesore.

Ne u futëm në dyqanin e ushqimeve dhe blemë qeskën e “Sheqerkave” të Kolonjës, kur edhe ato erdhën në dyqan. Blene diçka dhe dolën.

Ne ju vumë nga pas por më me guxim Beni i njihte dhe u dolëm para u foli në emër dhe të dyja na takuan.

Kur ndesha në vështrimin e syzezës time të preferuar ajo nuk e duroi dot vështrimin tim pak ngulmues dhe uli kokën.

I dhashë dorën ja shtrëngova pak më tepër se zakonisht ndjeva dërsitjen e pëllëmbës së saj

E kisha përballë. Nuk mbaj mënd se çfarë i kam thënë, por shikoja që me majën e sandales së djathtë gërvishte tokën pak e nervozuar dhe pak e emocionuar.

Nuk mund ti shoqëronin se isha i sigurtë që do të ishim objekt thathë e themesh në atë qytet aq të vogël.

Unë nuk po bëja më këmbë të ikja. Po i ndiqja me sy në momentin e kthimit për në rrugicën ajo kthehu kokën dhe qëndroi një moment ngriti pak dorën në shënjë përshëndetje dhe iku…

….E kam kërkuar edhe në vitet në vazhdim me thanë që ishte martuar në Korçë, e kërkova nuk e gjeta “sheqerkën” e Leskovikut asnjëherë. Mbase sot mund të isha dhe “dhënderr leskoviqar”…..

(Shkëputur nga libri ” Kujtime Unë nipi i Çarshovës”, faqe 56-57)

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT