..Ecën çdo ditë për të shkuar në punë. Rrugën e përshkon në këmbë, shikimi i saj kryqëzohet me vështrimet të meshkujve, që e ndjekin kurdoherë nga pas. Në rrugë është serioze, e rreptë, por edhe ajo bëhet më e bukur kur vallëzon tangon e saj të preferuar e shoqeruar nga njeriu më i afërt i saj.
I shtohet bukuria edhe kur është në mes të shoqërisë së saj dhe këndon me zërin e bukur të shpirtit të dlirë.
Kur qesh ato faqet e bukura formojnë ato brimat aq të bukura që e hijeshojnë edhe më shumë.
Është tepër e brishtë dhe e ndjeshme kur qan, por edhe këtu ajo bëhet edhe më e bukur se më parë.
Është mishërimi vetë i panoramës së një gruaje të lirë shpirt zhveshur nga të gjitha ligësitë e kësaj bote mjerane.
Është panoramë që nuk ta lodh shikimin përkundrazi të josh
të ndjell sytë e tu që ta shikosh gjatë pa ja ndarë në asnjë moment vështrimin e syve.
Thyen kornizat e çdo piktori e grris telajon e hedh tutje me përbuzje, thyen heshtjen me britmat e saj. U munduan piktorët ta konkretizonin me një panel ta hidhnin në telajo, askush nuk e vuri dot brënda një kornize, për ta varur në murin e një ekspozite diku.
Asnjë zinxhir lidhur nuk mund ta mbajë atë, ta bëjë zap.
Është më e bukur se çdo lëndinë e bleruar me lule shumëngjyrëshe, asaj i thonë “Zonja shpirt zbuluar”.
Është më joshëse se deti, pamja e saj ja kalon edhe romantizmit të theksuar të diellit kur perëndon aq madhërishëm.
Është panorama që brënda një kornize nuk mund të qëndrojë.
….Dikush e përkufizoi thjesht :
“Portret pa zinxhir. lindur për të jetuar e lirë në botën e vet të pasur dhe të dlirë….!!!”
