Sunday, March 1, 2026
BallinaVitrina e libritPoema e Kujtim Hajdarit, “Nën çatinë e përbashkët”, një himn për tolerancën

Poema e Kujtim Hajdarit, “Nën çatinë e përbashkët”, një himn për tolerancën

Nga Arben Iliazi:

Për korrigjimin tonë kemi gjithmonë nevojë për një pasqyrë. Poema e Kujtim Hajdarit “Nën çatinë e përbashkët” është një sprovë e fuqishme psikologjike, e brujtur me një mendim më realist, se sa optimizmi i ekzaltuar i iluministëve. Bota është në një gjendje dhimbjeje, ku mungon thuajse krejtësisht humanizmi dhe toleranca, ku optimizmi është një mirazh. Poema vjen me një mesazh të qartë: si duhet të sillemi kundrejt vetvetes. Si të dhënë të përjetshme kemi nevojën, pra dhimbjen. Si çdo aktivitet njerëzor, dhe lumturia është shtypja e një nevoje….e një dhimbjeje. Në këtë kategori nuk hyjnë vetëm vuajtjete dukshme reale, por edhe ato dëshira, bezdia e të cilave turbullon paqen tonë, që na bën të ndiejmë peshën e ekzistencës sonë të mjerë, të kotë dhe të pavlerë. Sa e vështirë është të arrish këtë kur, siç thotë poeti:
“Në fund të fundit, ne të gjithë flemë
nën të njëjtën çati të përbashkët yjesh,
nën mbulesat që mundësia na fal,
nën tavanin e kohës që na ndjek e na qesh,
se një ditë do ikim e do i lëmë të gjitha këtu”.
Poeti përsiat mjaftueshëm duke theksuar se toleranca është një mburojë kundër fatit të përbashkët, se njeri i përkryer i botës është ai që nuk ngurron dhe nuk bëhet kurrë mospërfillës:
“Dhe toleranca, miq, nuk është heshtje,
as përplasje – është pranim,
një urë që mundëson të mos digjemi,
të mos hamë njeri-tjetrin”.
Ndaj njeriu duhet të përshtatet menjëherë ndaj nevojës së pashmangshme, të bëjë gjithçka që mundet, të durojë me qetësi, të mos dobësojë forcën e shpirtit,por të gjejë lumturinë në kufijtë e së mundurës dhe të pamundurës, si një mundësi që pret të realizohet, që mund të na bëjë të gatshëm ndaj durimit dhe mund të rezultojë më gjigande se e vërteta:
“Le të jenë mendjet e zemrat tona dritare të hapura,
një port i gjërë, pa dallgë,
një liman shplodhës,
një rrugë pa pagesa.
Le të jenë dallimet tona si lumenjtë,
që nuk e mbytin njëri-tjetrin prej urrejtjes, xhelozisë,
por takohen vëllazërisht në një det dinjiteti”.
Intoleranca për poetin është humbje e kohës, burim i dhimbjeve tona të mëdha, që qëndron mbi të gjitha fatkeqësitë. Ndaj nuk duhet të jemi kurrë të detyruar nga kushtet njerëzore dhe të bindemi që ekzistenca njerëzore është përgjithësisht një fat i dhimbshëm dhe subjekt i tolerancës. Ndryshe duhet të heqim dorë nga nga pjesa e forcave jetësore të së ardhmes, nga një pjesë e jetës sonë.
Në gjithë poemën pikturohet një pikëllim i vërtetë dhe i pastër, por edhe një shpresë se marrëdhëniet ndërnjerëzore do i përshtaten rolit që konvencionet i kanë dhuruar dhe vlerave që vlejnë për të gjithë. Dhe për poetin vlera e epërme nuk mund të jetë thjesht ai organizim i përkryer i vlerave jetësore dhe ekonomike, por ajo që përgjithësisht quhet me emrin lumturi. Dhe lumturia nuk është një e burgosur pa shpëtim, mes egoizmit individual dhe mekanizmit kolektiv, që ta bëjë njerëzimin të pushojë në intolerancë dhe pasiguri instiktive. Krijime të tilla besojnë te fiksioni koherent i një bote, si një spektakël i kulluar me spektatorë të shumtë, me të vërteta që janë të vërteta për këdo dhe me dashuri për universalen dhe për lartësimin e njeriut, përkundrejt këshillave të egoizmit jetësor dhe universalitetit të një bote personash, që nuk zotërojnë asnjë mjet për të qeverisur shpirtrat. Mendimi krijues i K. Hajdarit i kundërvishet pikërisht kësaj bjerrjeje.

etojmë të gjithë nën çatinë e përbashkët,
Të gjithë në këtë rruzull të vogël të universit.
Jetojmë në këtë botë, nën këtë tavan,
ku mijëra reflekse kulturash kryqëzohen,
ku besime të shumta reflektojnë e rrezatojnë humanizëm,
ku secili prej tyre përpiqet të hapë dritare mirësie,
drejt kulmit tonë të përbashkët,
të hedhë më shumë dritë,
në dhomën e fshehur,
të shpirtit njerëzor,
të sjellë refleksin e tij,
një shkëlqim të ri.
*
Disa e marrin këtë realitet si një flakë,
që digjet në pëllëmbët e tyre,
si një gotë qelqi, që mund të thyhet,
dhe e ndjejnë veten shpesh si në faj.
Ka të tjerë që e shohin si flamur,
si veshje të dytë stolie,
dhe në turmë,
ajri bëhet stuhi zërash,
një arenë bubullimash,
një lumë zhurme,
dhe herë-herë stuhi përplasjesh për liri.
*
Ndaj koha na thërret për tolerancë,
na vë duart mbi supe, miqësisht:
Dhe toleranca, miq, nuk është heshtje,
as përplasje – është pranim,
një urë që mundëson të mos digjemi,
të mos hamë njeri-tjetrin,
është dialog – bashkëpunim,
një thurje e hartës së grisur të mendimeve tona,
një derë e hapur në dimrin e rreptë,
që fton udhëtarin e humbur, mbuluar me dëborë.
*
Ajo është aftësia për të pirë nga puse të panjohura,
për të ndjerë shiun në sytë e dikujt tjetër,
për të dëgjuar muzikën në hapat e huaj,
pa menduar kupën e urrejtjes e të helmit,
pa shikuar shtrembër ngjyrat e ndryshme,
por si ndjenjë që reflektojnë dashurinë njerëzore,
si një zë që thërret vëllazërinë e ngrohtë.
*
Toleranca thërret dashurinë e keqardhjen,
është si një rrahje zemre e dytë,
si një palë mushkëri të huazuara,
si një llampë e ngrohtë e vendosur në portën e tjetrit.
Miqësisht hyn në një jetë tjetër,
si këmbët zbathur në tokë të shenjtë,
si një mysafir i kujdesshëm,
si një dorë e ngadaltë mbi një kafshë të frikësuar,
duke pyetur e dhënë ndihmë, jo duke kërkuar:
“Ku të dhemb?”
“Çfarë ke pësuar?”
“Pse të frikëson errësira?”
“Çfarë emri i jep pabarazisë?”
*
E keqja, miq, fillon si diçka e vogël,
nga një bindje qorre,
nga një pakujdesi,
nga një fjalë e hedhur si baltë.
Pastaj ngacmon si një guralec në gojë,
si një gjilpërë pas gjuhës,
si një halë e fshehur në mëngën e këmishës,
dhe rritet e vrapon si kafshë e tërbuar,
pushton si zjarr,
plagos si thikë që bëhet shpatë,
kur e lëmë një person në hije,
kur e shohim si statujë,
kur e vëmë në shënjestër,
kur e etiketojmë gjithëlloj,
kur e marrim nëpër këmbë.
*
Të mos nderosh njerëzimin është një lloj verbërie:
të pikturosh botën me një ngjyrë të vetme,
është himn i shurdhët,
një qiell unik, i kufizuar që vuan,
sikur ndryshimet të ishin çarje e plagë,
sikur të ishin ndotje, si barërat e këqija.
në vend që t’i shohim si pasurim, si jetësorë,
si varg të ri, si një dritare tjetër për të parë,
si hapësirë për të shijuar jetën më shumë.
*
Prandaj le të bëhemi kopshtarë të shpirtit,
ndriçues e fenerë për jetën,
hartografë të mëshirës.
Le të rrisim sigurinë tonë
për një horizont më të gjerë,
një dritë më të ngrohtë në sytë tanë,
një karrige më të butë,
për një vend më shumë në tryezën e bukës,
Le të vijnë fjalët tona si shiu pranveror,
si buka e ngrohtë,
duke i mbajtur duart hapur,
jo për të fituar,
por për të ndrequr,
për të ftohur gjakun e vluar,
për të bartur vëllazërinë tonë
kudo në botë.
*
Në fund të fundit, ne të gjithë flemë
nën të njëjtën çati të përbashkët yjesh,
nën mbulesat që mundësia na fal,
nën tavanin e kohës që na ndjek e na qesh,
se një ditë do ikim e do i lëmë të gjitha këtu:
Pasuri e rraqe,
do marrim me vete vetëm fjalët e dhimbshme:
U prehtë në paqe!
*
Le të bëhet çdo zemër një shtëpi,
ku plagët të gjejnë strehë të shërohen.
Jeta jonë është një notë që shkruajmë,
një udhëtim i shkurtër që duhet ta jetojmë,
një dritë e hollë, që mund ta humbasim,
një fije që mund ta këputim lehtë.
Dhe ta vuajmë edhe përtej.
*
Le të jenë mendjet e zemrat tona dritare të hapura,
një port i gjërë, pa dallgë,
një liman shplodhës,
një rrugë pa pagesa.
Le të jenë dallimet tona si lumenjtë,
që nuk e mbytin njëri-tjetrin prej urrejtjes, xhelozisë,
por takohen vëllazërisht në një det dinjiteti.
Le të jenë një frymë e gjërë për të gjithë,
drita e adhurueshme e përbashkësisë,
nën çatinë tonë të përbashkët Tokë.
(Kujtim Hajdari)
Kujtim

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT