Poeti Lim Shin-Young ka lindur në Jeomdong-Myeon, Yeoju-gun, Provinca Gyeonggi, (Koreja e Jugut). Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ka studiuar letërsinë arabe dhe ka ushqyer për një kohë të gjatë një ndjeshmëri të thellë letrare, ndërsa punonte në fushën e menaxhimit, ku gjithashtu ka fituar titullin si Doktor në Administrimin e Biznesit. Kjo ndërthurje unike e pasionit letrar dhe e të kuptuarit menaxherial i ka dhënë poezisë së tij një perspektivë të veçantë shoqërore dhe filozofike.
Ai ka shërbyer si profesor i jashtëm, duke hulumtuar vazhdimisht marrëdhënien mes shkencave humane dhe atyre të aplikuara, me theks të veçantë në të lexuarit dhe mendimin interpretues si ura lidhëse midis këtyre dy fushave. Lim Shin-Young debutoi në letërsi duke fituar Çmimin për Shkrimtarë të Rinj (Seksioni i Poezisë) nga Munyesajo dhe aktualisht është Drejtor në bordin editorial të saj.
Ka fituar Çmimin e 35-të Letrar Munyesajo (2024, Seksioni i Poezisë) dhe Çmimin Prestigjioz për Kulturë dhe Arsim në Kore (2016). Në fushën akademike, ka dhënë mësim në programe pasuniversitare për menaxhimin e turizmit dhe të hotelerisë, duke pregatitur studiues të rinj.
Përvoja e tij e gjerë përfshin drejtimin e Orkestrës GS (GSCO), rolin e Këshilltarit në Akademinë e Liderëve të CBS, drejtues në projekte zhvillimore jashtë vendit dhe anëtar në borde të ndryshme vlerësimi dhe këshillimi si Komiteti i Vlerësimit të 10 Fushave më të Mira të Golfit dhe Komiteti i Menaxhimit të Pasurive të Paluajtshme të Shërbimit të Pensioneve për Nëpunësit Publik.
Lim Shin-Young ka botuar përmbledhjet poetike me titull “Teksa Vrapoja, Ishte Jeta”, si dhe ka kontribuar në shumë antologji dhe botime akademike.
NË VJESHTË
Në vjeshtë,
do ta dashuroj vetë vjeshtën,
thellë në zemrën time do ta mbaj bollëkun e saj,
dhe do t’i dua edhe flladet që vijnë e ikin.
Në vjeshtë, do të mbushem me mall për ty,
për ty që ke udhëtuar me mua gjatë viteve,
në këtë stinë,
imazhi yt bëhet edhe më i kthjellët.
Në pasurinë e arave të vjeshtës
banon edhe nostalgjia,
gjurmët që ke lënë pas,
ah… ato janë dashuria jote.
Në hijen e dritës së hënës,
do të të përqafoj e të mbaj pranë.
Në këtë vjeshtë,
kur mendimet kthehen tek ajo që më mungon.
(Përktheu: Angela Kosta)
