FTESË PA SHPËRBLIM
Po ejani, pra, ejani e ngrohuni këtu, pranë meje,
Se një zjarr vargjesh ju kam ndezur te ky dimër.
Flakët e tij janë fytyra të shkrumbuara hareje
Dhe prush i pëshpërimtë i qielllit të virgjër.
Plot thëngjinj klithmash do të shfaqen aty, mes hirit,
Si pengje të rëndë, pa sy e me gjuhë të prerë.
Ata do të bëhen martirë shtegtarë të zhgënjimit,
Dëshmitarë të heshtur të një kohe pa kokë e pa nder.
Ejani, pra, ejani dhe rrëfejeni shpirtin tuaj të mardhur,
Me flakët e tij, si vështrime të pafajshme fëmijësh.
I pavlerë është ndoshta ky shërbim për orën tuaj të ndalur,
Por unë deri në fund do ta kryej, si leximin hyjnor të biblës.
