Tuesday, March 10, 2026
BallinaVitrina e libritPRANIA E LETËRSISË BASHKËKOHORE ITALIANE DHE ASAJ NDËRKOMBËTARE NË GAZETËN LETRARE DHE...

PRANIA E LETËRSISË BASHKËKOHORE ITALIANE DHE ASAJ NDËRKOMBËTARE NË GAZETËN LETRARE DHE KULTURORE “NACIONAL”

Dje mbasdite më 14 maj 2025 ora 18:00′ Shtëpia Botuese “Nacional” organizoi në Tiranë konferencën:

PRANIA E LETËRSISË BASHKËKOHORE ITALIANE DHE ASAJ NDËRKOMBËTARE NË GAZETËN LETRARE DHE KULTURORE “NACIONAL”

Veprimtaria u zhvillua në sallën e konferencave në Hotel Oxford ku Shtëpia Botuese “Nacional” pati kënaqësinë të zhvillojë dhe të paraqesë një ngjarje të veçantë kulturore dhe intelektuale, e cila u zhvillua në zemër të Tiranës.
Konferenca synoi të hedhë dritë mbi ndikimin, prurjet dhe jehonën e letërsisë bashkëkohore italiane dhe asaj ndërkombëtare në një nga platformat më të rëndësishme të kulturës dhe letrave shqipe, gazetën letrare dhe kulturore “Nacional”. Pasi drejtuesi Dr Mujo Bucpapaj u dha mirëseardhjen të ftuarve të nderit dhe pjesëmarrësve, e mori fjalën Dr Regina Resta Presidente e Shoqatës VerbumlandiArt APS, e njohur nga Senati i Republikës Italiane, e cila shprehu mirënjohjen e thellë për këtë event – shkëmbim kulturor midis dy shteteve. Ajo u ndal gjatë dhe theksoi kontributin e rëndësishëm të Gazeta Nacional dhe të vetë Dr Mujo Buçpapaj, në promovimin e vlerave kulturore jo vetëm të autorëve dhe artistëve italian, por edhe nga e gjithë bota. Gjithashtu, Dr Regina premtoi se do të rikthehej në vendin tonë të bukur, për shkëmbime veprimtarish të tjera kulturore. Më pas e mori fjalën Zv. Presidenti i Shoqatës Goffredo Palmerini i cili gjithashtu shprehu mirënjohjen dhe kënaqësinë të ishte i pranishëm në këtë event. Ai rrëfeu se rreth viteve ’80 kur ishte Zv. Kryetar i Bashkisë në Aquila, pati nderin të njihej me veprën e shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare: Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur i cili po regjistrohej si film me aktorë të njohur italian duke përfshirë edhe Mastroianin, në këtë qytet të mrekullueshëm. Më pas e mori fjalën Dr Klara Kodra e cila e tregoi për origjinën e nënës së saj italiane si dhe marrëdhëniet e ngushta artistike dhe letrare me shtetin tonë fqinjë. Dr Klara u ndal gjithashtu në veprimtarinë e zgjeruar të gazetës Nacional dhe kontributin shumëvjeçar të kësaj media, në aspektin e shpërndarjes të veprimtarisë së shumë autorëve italian dhe atyre të huaj. Pasi u shkëmbyen Certifika Mirënjohjeje nga të dyja palët, fjalën e morën edhe studiues, shkrimtar dhe autorë të tjerë. Eventi u mbyll nga koordinatorja Angela Kosta e cila i shprehu mirënjohjen të ftuarve të nderit si dhe të gjithë të pranishmëve në sallë.

Të ftuar nderi ishin :

1. Regina Resta – Presidente e Shoqatës VerbumlandiArt APS, e njohur nga Senati i Republikës Italiane

2. Dr. Znj. Mirella Cristina
(juriste, deputete, komisioni i drejtësisë)

3. Goffredo Palmerini
(Gazetar)

4. MARIA PIA TURIELLO
(Kriminologe forenzike, kryetare e Komisionit Shkencor)

5. MIRJANA DOBRILLA
(Shkrimtare, përkthyese)

Ja çfarë tha në fjalimin e saj Presidentja e Shoqatës Dr Regina Resta:

Gazeta letrare dhe kulturore “Nacional”, si dhe organi i Shtëpisë Botuese po me të njejtin emër, përfaqëson sot një nga pikat kryesore referuese për përhapjen e kulturës dhe letërsisë në Shqipëri dhe në territoret shqiptarofolëse.
Ndër karakteristat e saj më të veçanta dhe të theksueshme, është vëmendja e vazhdueshme për letërsinë bashkëkohore italiane dhe ndërkombëtare, e cila manifestohet përmes artikujve kritikë, përkthimeve, intervistave, recensioneve dhe eseve, dedikuar autorëve të rëndësishëm të skenës letrare globale.

Angela Kosta

Hapja ndaj prodhimit letrar të huaj, figurohet si një gjest dialogu ndërkulturor dhe pasurimi reciprok. Në një epokë ku kufijtë gjuhësore bëhen gjithnjë e më të gjera, “Nacional” pozicionohet si një platformë dinamike, ku zërat e shkrimtarëve, poetëve dhe mendimtarëve italianë dhe ndërkombëtarë gjejnë hapësirë, dukshmëri dhe krahasim me publikun shqiptar. Ky angazhim ka një dyfishim vlerash: nga njëra anë, kontribuon në vlerësimin e trashëgimisë letrare botërore, duke u bërë mundësi aksesi për lexuesit shqiptarë përmes përkthimeve me cilësi; nga ana tjetër, stimulon rritjen kulturore dhe kritike të publikut vendas, duke futur estetika, tematika dhe ndjeshmëri të reja. Prania e vazhdueshme e autorëve italianë, përfshirë këtu: studiues, shkrimtarë, përkthyes dhe gazetarë, e pasuron gazetën me perspektiva të cilat i thellojnë rrënjët në një traditë letrare ndër më të ndikueshmet në Evropë. Në këtë kontekst, kontributi i Shoqatës sonë VerbumlandiArt APS, e cila është e njohur nga Senati i Republikës Italiane, ka një rol të rëndësishëm në promovimin e letërsisë italiane jashtë shtetit, dhe veçanërisht në Ballkan. Shoqata jonë VerbumlandiArt, paraqitet si një urë kulturore aktive dhe produktive mes Italisë dhe Shqipërisë, duke lehtësuar qarkullimin e teksteve, autorëve dhe ideve. Nëpërmjet bashkëpunimeve me revista, universitete, festivale dhe shtëpi botuese, përfshirë edhe gazetën “Nacional”, ajo kontribuon në shpërndarjen e letërsisë italiane dhe ndërkombëtare në kontekstin shqiptar, duke mbështetur përkthimin, kritikën dhe takimin mes kulturave. Marrëdhënia midis “Nacional” dhe letërsisë italiane, është forcuar mjaft edhe nga kontributi i figurave akademike dhe intelektualëve arbëreshë, pasardhës të një tradite të gjatë shkëmbimi midis Italisë dhe Shqipërisë. Kjo urë kulturore, është e rëndësishme, jo vetëm për ruajtjen e identitetit, por edhe për ndërtimin e horizonteve të reja letrare. Kjo konferencë, sot, këtu në Tiranë, konfirmon boshtin qendror të gazetës “Nacional” si një mjet për promovimin e letërsisë ndërkombëtare. Ndërhyrjet e pjesëmarrësve, të ardhur nga: Shqipëria, Italia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, theksojnë vlerën e gazetarisë kulturore në shpërndarjen e letërsisë me cilësi
dhe të promovimit e mirëkuptimit mes popujve.
Si përfundim, “Nacional” konfirmohet jo vetëm si gazetë e rëndësishme kombëtare, por gjithashtu si një zgjidhje kulturore ndërkombëtare, promovuese aktive të një letërsie, e cila i tejkalon kufijtë dhe bashkon identitete të ndryshme në aspiratën e përbashkët ndaj bukurisë dhe së vërtetës.

Përktheu: Angela Kosta – Koordinatore e eventit

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT