Monday, October 13, 2025
BallinaKulturëPROMOVIM EMOCIONAL I LIBRIT “BIJË E TIJ – GRUA E JETËS” NGA...

PROMOVIM EMOCIONAL I LIBRIT “BIJË E TIJ – GRUA E JETËS” NGA VLORA MEHANJA-HASIMI

Prishtinë, 7 tetor 2025 — Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, sot në orën 14:00, në sallën “Oaza”, afër ish-objektit të Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, u mbajt promovimi i librit më të ri të autores Vlora Mehanja-Hasimi, me titull domethënës “Bijë e tij – Grua e jetës”, një vepër që buron nga dashuria dhe respekti i thellë ndaj figurës së babait të ndjerë të autores. Në këtë ngjarje letrare të veçantë morën pjesë familjarë, miq, poetë, profesorë dhe dashamirës të fjalës artistike, të cilët e bënë edhe më të ndritshëm këtë përurim të një libri që përshkohet nga ndjenja e mallëngjimit dhe mirënjohjes. Promovimi u moderua me finesë dhe profesionalizëm nga prof. dr. Sadri Rexhepi, i cili i dha takimit një frymë moderne, kulturore dhe të përzemërt. Në rolin e referuesve u paraqitën redaktori dhe botuesi i librit, Zymer Mehani, si dhe recensentët prof. dr. Sadri Rexhepi dhe studiuesi Fadil H. Curri, të cilët vlerësuan thellësinë shpirtërore, ndjenjën njerëzore dhe gjuhën poetike të autores. Në vijim të promovimit, fjalë përshëndetëse dhe mbresëlënëse mbajtën prof. Behram Hoti, prof. Qazim Berisha, prof. Ruzhdi Gashi, prof. Jusuf Lushaku, prof. Ilmi Kiçmari, poeti e publicisti Bajram Muharremi-Bistrica, poeti Reahim M. Sadiku, si dhe z. Ramë Jashari, veteran i UÇK-së, të cilët përgëzuan autoren për këtë vepër që përmes kujtimit të babait, ngre lart figurën e njeriut të përkushtuar, të sakrificës dhe dashurisë prindërore. Në fund të takimit, autorja Vlora Mehanja-Hasimi mbajti një fjalë falënderuese, përshkruar nga emocione të sinqerta dhe mirënjohje për të gjithë ata që e mbështetën në realizimin e librit — redaktorin, recensentët, botuesin, familjen dhe miqtë e saj të shumtë që e nderuan me praninë e tyre. Ngjarja përfundoi me duartrokitje të gjata dhe me ndjesinë se libri “Bijë e tij – Grua e jetës” është më shumë se një botim — është një monument dashurie, kujtese dhe përkushtimi, që do të mbetet në mendjet dhe zemrat e lexuesve si një rrëfim i ndjeshëm për lidhjen e përjetshme ndërmjet bijës dhe babait.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT