E MARTA NË PRISHTINË
E marta
ishte ditë tregu
në Prishtinë
zbritnin nga katër anët
fshatarët atë ditë
gumëzhinte Prishtina
shitje dhe blerje
bëhej atë ditë
po çka nuk shitej
në Prishtinën time
të dashurisë.
II
Më dukej se po e shoh
babain tim Halilin
me plis të vrugët
nga djersa e ballit
të mbëshetur
për plepin e bardhë
shiste ca vezë
djath e pak xhizë
e në fund
blente ca gjëra për shtëpi
penjë për arnim
vajguri për fitilaq
pak simite
e bombona për ne.
III
Babai gjithmonë
kthehej vonë nga qyteti
i lodhur e i këputur
nga rruga e gjatë
aq sa ishin të gjata
vuajtjet e tij.
IV
Të marteve në Prishtinë
shitej edhe duhani tarabosh
tymi shkonte
shllunga shllunga
nga fshataret e mi
secili mbanin nga njëmijë dëshira
të gjitha ato
i kthenin në dashuri.
V
Kështu ishte atë botë
Prishtina ime
me dyqane të vogla
madje edhe të mëdha
përshëndeteshin
me Tungjatjeta
vërtet
ata ishin njerëz të mirë.
VI
Sot pas kaq shumë viteve
më rremben një mallengjim
ta shoh atë lumth
përmes qyteti
që dikush e varrosi për të gjallë
i humbi gjurmë.
VII
Para muzgut
niseshin karvane qerrësh
të fshatarëve të mi
babai gjithnjë kthehej vonë
n’mungesë të vitaminës D-e.
VIII
Kështu e kishte jeta
me brenga sa të duash
por ato i kthenin në shpresa
se do vjen një ditë e bardhë…
