Tuesday, December 23, 2025
BallinaVitrina e libritQirici Mina -Baladë. TRINGA E GRUDËS – “ZHANA D’ARKA” SHQIPTARE.

Qirici Mina -Baladë. TRINGA E GRUDËS – “ZHANA D’ARKA” SHQIPTARE.

Shtatë plagë lufte kishte në trup:tri plagë shpate dhe katër plagë plumbi.
Në shtatë muaj, në shtatë orë të ditës dhe në shtatë orë të natës, i qëndronte mbi krye vasha, me bukurinë e zanës së maleve.
Ia mjekonte plagët me lulet dhe barishtet e bjeshkës.
Ia thante me flokët e ballit.
Ia shuante dhimbjet me fjalët e zemrës.
Nuk ishin Gjergj Elez Alia dhe motra e tij.
Ishin Gjoni dhe Tringa.
Zefi, vëllai i madh, kishte rënë në luftë, me shpatë në dorë, kundër turkut pushtues.
Në kullën e Kshevës u dëgjua piskama e dhimbjes:
-Ku, ku, medet!
Fisit të Grudajve, luftëtarëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, iu mbyll dera!
Nuk ka më burra të trashëgojnë gjakun dhe rrënjët e fisit!
Tringës iu helmua zemra dhe shpirti dy herë:vdekja e vëllait, kuja e atit.
Nuk kaloi shumë dhe në odën e burrave hyri një djalosh i ri.
Trupgjatë.
Sybukur.
Xhamadanin vija-vija, si të Mic Sokolit, hedhur krahëve.
Në brez pisqollën.
Në dorë pushkën.
Burrat shtangën.
-Cili je ti, o trim, që bashkohesh me dhimbjen time?-pyeti Smajl Martinaj.
-Jam ai që ti, ati im, kërkon të jem!
Kulla jonë e ka një djalë.
Fisi ynë e ka një burrë që do t’u prijë trimave të Grudës!
Nxori nga brezi kutinë e duhanit dhe ua hodhi miqve.
-Dridhni nga një cigare për shpirt të Gjonit, burra!
Smajl Martinaj e mbështeti në gjoks.
-I lumi unë për çikën time, burrnesha më e re e maleve të Grudës!
Mëngjesin e 6 prillit 1911, zogjtë e pyllit u strukën të frikësuar në degët e lisave.
Fëllëzat nuk kënduan këngë dashurie.
Bilbilat heshtën.
Në malin e Deçiqit, në Hot, Grudë dhe në tërë Malësinë e Madhe,
dëgjoheshin krismat e pushkëve, shungullimat e topave, britmat dhe thirrjet e luftës.
Dielli dukej i zbehtë nga retë e zeza të tymit dhe barotit.
Njëzet e shtatë mijë ushtarë osmanë, nën komandën e Shefqet Turgut Pashës,
përballë 3 280 luftëtarëve shqiptarë, të udhëhequr nga Ded Gjo Luli.
Pashai i Stambollit përballë gjeneralit popullor të maleve.
Pushtuesi dhe i pushtuari.
Një shqiptar kundër tetë osmanëve.
Luftëtarët e lirisë i afroheshin gjithnjë e më shumë Deçiqit.
Një klithmë dëgjohej mbi të tjerat:
-Për flamur dhe Shqipëri të lirë, burra!
-Për baca Smajl Martinajn, që nuk ia dimë ende varrin!
-Për Zefin!
-Për Gjonin!
Plumbat qëllonin në shenjë mbi ushtarët turq.
Luftëtari vraponte si vetëtima.
Xhamadanin ia valëviste era, si krahë shqiponje në fluturim.
-Cili është ai trim që lufton si luan?- pyeti Ded Gjo Luli.

  • Tringa, cuca e Smajl Martinajt.
    Ded Gjo Luli sokëlliu:
    -Ajo nuk është cucë, ajo është burrnesha e Malësisë së Madhe!
    Në majën e Bratiljes, atë ditë, u ngrit pas 450 vjetësh flamuri i Skënderbeut.
    Larë me lot dhe tharë me gjak.
    Duart e para që ngritën flamurin e lirisë ishin të Tringës.
    Tringa nuk u martua kurrë.
    Mbylli sytë më 2 nëntor 1917.
    Ishte vetëm 47 vjeçe.
    U varros në Kshevë, fshatin e saj të lindjes.
    At Gjergj Fishta e himnizoi në “Lahutën e Malcisë”.
    Gazeta franceze e quajti “Zhanë d’Arka” shqiptare.
    Dy vjet më pas, ushtria malazeze ia shkatërroi varrin, por jo lavdinë.
    Lavdia e saj qëndron edhe sot e kësaj dite në majën e Bratiljes, në Deçiq,
    aty ku u shpalos flamuri i Skënderbeut.
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT