Si vdes një trim dhe si jeton një komb
Unë jam ura mbi lumin Ribnicë.
Guri im është aq i vjetër sa zërat që kanë kaluar mbi mua.
Më ndërtuan romakët për të lidhur dy brigje të qytetit Birziminium, siç quhej dikur Podgorica. Që atëherë, unë lidh. Dhe mbaj mend.
Kam ndjerë mbi kurrizin tim hapa fëmijësh dhe pleqsh, karvane e ushtri: romakë, sllavë, osmanë, austro-hungarezë.
Kam përcjellë krushq e dasmorë, kuaj e mushka, njerëz që iknin dhe njerëz që ktheheshin.
Të gjithë i kam kaluar me heshtje.
Por ditën e 23 janarit 1916 nuk e harroj kurrë.
Gjithë natën kishte rënë dëborë.
Mbuloi pullazet, rrugicat e qytetit, gurët mbi shpinën time.
Vetëm uji i Ribnicës mbeti sykaltër, si një sy që nuk fle.
Tetë burra po më afroheshin me hap të qetë.
Në krye ishte Isa.
Shtatlartë si lisat e Kosovës.
Xhamadanin vija-vija, si të Mic Sokolit.
Qeleshen e bardhë mbi krye, si dëbora në malet e Shqipërisë.
Thonë se një natë, në kullën e Boletinajve, nuses së re iu shfaq në ëndërr një zanë:
-Do lindësh një djalë me shtatin dhe bëmat e Mujit. Me plakun mjekërbardhë të Vlorës do të ngrejë flamurin e lirisë.
Ditën që lindi, 15 janar 1864, i ati i vuri mbi djep pistoletën e famshme Mauser.
Ajo armë do ta shoqëronte nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kur ishte vetëm 14 vjeç, deri në frymën e fundit.
Pas tij vinin djemtë: Halili dhe Zahidi.
Nipërit: Jonuzi dhe Halili.
Hajdar Selim Radisheva, Idris Bilimi, Misin Bala.
Papritur, një krismë e vetme theu heshtjen.
Unë u drodha.
Lumi u step.
Halili ra mbi dëborë, i gjakosur.
-Tradhti, burra!- thirri Zahidi, studenti i Vjenës. – Mbroni bacën!
-Baca ju mbron juve, bir! – u përgjigj Isa. – Bashkë mbrojmë Shqipërinë!
Pastaj shtoi, me zë guri:
-Trimin nuk e vret plumbi. Trimin e vret tradhtia.
Konsulli frëng na priste sot në Shkodër… premtoi se do të mbronte tokat shqiptare.
Plumbat vinin nga të katër anët.
-Frika vret pas shpine!-klithi baca.
Zëri i tij u përplas mbi brigje si ortek mali.
Edhe lumi foli:
-Isa Boletinin nuk e vret plumbi, por tradhtia e konsullit frëng!
Pabesia e gjeneralit malazez Radomir Vesoviç!
Djemtë dhe nipërit ranë një nga një, rreth tij, si degë të prera nga i njëjti trung.
Isa qëndronte në këmbë.
I vetëm.
I rrethuar.
I tradhtuar.
Sytë iu skuqën si agimi mbi male.
Lisin e godet rrufeja, e djeg, por nuk e rrëzon.
Qëllonte.
Kur iu mbaruan plumbat e pushkës, nxori nga brezi Mauser-in e madh, me dorezë hekuri.
Pistoletën legjendë që kishte tmerruar armiqtë dhe habitur Londrën.
Mbi dëborë kishte më shumë xhandarë të rrëzuar se luftëtarë të rrethuar.
Isa nuk u shtri.
Nuk u ul në gjunjë.
Mbështeti shpatullat e përgjakura në parmakët e mi prej guri dhe thirri:
-Unë jam mirë! Shqypnia ka me u ba!
Pastaj nxori nga gjoksi flamurin.
Krahët e shqiponjës mbuluan të rënët.
-Më vratë me tradhti e pabesi, por shqiponjën nuk e vrisni dot!
Ajo fluturon në male.
Ajo bashkon kombin!
Fryma iu këput, jo si njeri që bie, por si lis që pushon së rrituri dhe mbetet përjetë në tokë.
Xhandarët iu afruan me frikë.
Dhjetëra plumba kishin goditur trupin e tij.
Ai ende qëndronte në këmbë.
Si kulla e Boletinajve.
Me Mauser-in në dorë.
-Vdeksha dhe unë si Isa…- mërmëriti një xhandar.-Ka burra që vriten, por nuk mposhten.
Dëbora nisi të binte përsëri.
Mbuloi rrugët e Podgoricës, brigjet e lumit dhe mua, urën e vjetër të gurit.
Të fshihte tradhtinë e konsullit frëng?
Të mbulonte pabesinë e Vesoviçit?
Apo po vishte me bardhësi trimërinë e Isës?
23 janar 1916.
Para tetë ditësh kishte mbushur 52 vjeç.
Që nga ajo ditë, mali e thërret me emër.
Flamuri e mban në gji.
Shqipëria dhe Kosova e kanë birin e tyre.
Isa Boletini nuk është vetëm histori.
Është legjenda si vdes një trim dhe si jeton një komb.
