Wednesday, February 4, 2026
BallinaVitrina e libritQirici Mina-Me rastin e 28 Nëntorit, 113-vjetorit të Pavarësisë "FLAMURI IM...

Qirici Mina-Me rastin e 28 Nëntorit, 113-vjetorit të Pavarësisë “FLAMURI IM ËSHTË JETA IME!”

Baladë për Paro Kitën e Gostivishtit
Im gjysh, Gafe Nini Qiricit, më thoshte kur isha i vogël:
-Bir, Paro Kita nuk është histori!
Paro Kita është legjendë!
E shkruajta këtë baladë jo si shkrimtar, por si bir i këtij fshati në mëhallën e Hijes, me gjak e rrënjë të lashta.
Në hyrje të fshatit Gostivisht, atje ku mjegulla zbret në mëhallën e Hijes si një shami e bardhë vajzërie, ngrihej shtëpia e Vasil Kitës. Nuk ishte thjesht një ndërtesë prej guri; ishte një zemër që rrihte bashkë me Arbërinë.
Muret e saj kishin dëgjuar zërat e Spiro Bellkamenit, Themistokli Germenjit, Petro Nini Luarasit, motrat Qiriazi; kishin parë duart e nxënësve të parë që mësonin alfabetin e kombit; kishin ruajtur netët e errëta kur burrat e Kolonjës betoheshin mbi bukë e kripë se Shqipëria do të ringrihej.
Në këtë shtëpi, flamuri kuq e zi nuk varej në shtizë.
Ai jetonte!
Herë rënkonte nga era malore që zbriste me tërsëllimë nga Gramozi e herë zgjohej si një zog që ngrihej në qiell.
Fshati thoshte se brenda atij flamuri dëgjoheshin zëra të lashtë, zëra që vinin nga kuvendet e Kastriotëve, nga betimet e kolonjarëve, nga fiset e malit që nuk njihnin robërinë.
Zemra që e mbante këtë flamur gjallë ishte e vajzës së shtëpisë: Paro Kitës!
Parua nuk ecte në fshat si një grua e zakonshme.
Këmba e saj prekte gurin dhe guri merrte frymë.
Duart e saj preknin drurin dhe druri merrte jetë!
Sytë e saj shihnin përtej maleve, përtej kufijve, përtej frikës njerëzore.
Ajo ishte aty ku duhej të ishte zemra e Shqipërisë.
Në ballë të rrezikut.
Në ballë të historisë.
Në gji të saj strehoheshin letra të fshehta, fishekë, torba me bukë për luftëtarët e lirisë.
Ajo ecte natën si një yll që nuk ndizej kurrë nga vetja, por nga detyra.
Kështu jetonte shtëpia e Vasilit, në heshtje, në krenari, në besë.
Viti 1914 zbriti mbi Kolonjë si një hije e zezë, si një re që nuk sillte shi, por zjarr.
Andartët grekë zbritën mbi fshat si korba të uritur, me sytë e tyre të boshatisur dhe me zemrat që nuk njihnin gjuhë tjetër veç urrejtjes.
Shtëpitë mbyllën portat.
Vetëm një shtëpi nuk e uli kokën, shtëpia e Vasil Kitës.
Në ballkon flamuri valëvitej si një zog i gjallë.
Ai nuk dridhej nga frika; dridhej nga zemërimi.
Si të thoshte:
“Këtu jam!
Mbi këtë tokë kam lindur!”
Andartët u bënë bisha nga tërbimi dhe ulëritën:
-Uleni flamurin! Në këtë tokë s’ka vend për shqiponjën tuaj!
Shtëpia heshti.Ajri u mpiks.Mëhalla e Hijes dukej sikur ndali frymën.
Dhe atëherë doli ajo, tridhjetëenëntë vjeçarja Paro Kita.
E drejtë, e bardhë si bora e Gramozit dhe malit të Hijes sipër fshatit.
Me sytë zjarr që nuk e njihnin frikën.
Ngriti dorën drejt flamurit, e preku lehtë, si të prekte Petraqin, djalin e saj të vogël, që duhej ta mbronte nga rreziku, pastaj u kthye nga andartët
Zëri i saj nuk ishte zë gruaje.
Ishte zë stuhie.
-Ky flamur nuk ulet!
Ky është gjaku i Arbërit!
Është zemra e Kolonjës!
Është besa e Shqipërisë!
Që të ulet ky flamur më parë duhet të kaloni mbi trupin tim!
Fjalët ranë mbi tokë si shkëmbinj graniti.
Fshati u drodh.
Andartët e ndjenë atë forcë, dhe për një çast, stepën hapat.
-Mendo për jetën tënde! – i thanë.-Një grua nuk e sfidon dot ushtrinë!
Parua qeshi hidhur.Ishte e qeshura e një legjende që sapo lindte.
-Ju mund të më vrisni, por flamurin nuk ma shkulni dot nga shpirti.
Ai është jeta ime!
Ai është Shqipëria!
Kur kamat e andartëve grekë copëtuan trupat e Paros dhe të xha Vasilit, qielli i Gostivishtit u nxi. Nuk ishin retë, por dhimbja e maleve: Gramozi, Pelivori, Hija, Kotrusha.
Era u ngrit me tërbim dhe përplasi degët e lisave në korien e Shën Thanasit, si të kërkonte drejtësi nga shenjti.
Atë e bijë ranë të gjakosur në tokë, po flamuri jo. Qendronte në ballkonin e shtëpisë.
I pamposhtur!
Fshatarët thonë se në atë çast, flamuri u drodh si zemra e Arbërit. Rënkoi, sikur po i merrnin birin, pastaj u shkund, si të klithte:
-Unë nuk vdes!
Në mbrëmjen e asaj dite, kur nata zbriti bashkë me yjet, një dritë e bardhë u ngrit mbi mëhallën e Hijes.Mbi çatinë e shtëpisë së Vasil Kitës endej një shqiponjë e bardhë.Flatrat e saj nuk ishin flatra zogu, por flatrat e një gruaje. Fluturoi tri herë mbi shtëpi, pastaj qendroi pezull mbi flamur.
Si rojë!
Si nënë!
Si besë.
Një zë i butë, që vinte nga toka e lashtë e Perasit, thirri:
-Flamuri im është jeta ime!
Fshatarët ranë në gjunjë.
Paro Kita është mes nesh!
Legjendat nuk vdesin!
Sidomos ato që lindin nga gjaku për flamurin e kombit
Mina T. QIRICI
Tiranë, e martë 25 nëntor 2025

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT

Majlinda Pajaj-Mall

AVDUSH CANAJ-FSHEHTËSI

Sami Mulaj-MIQTË