MIC SOKOLI ME SHTATË ZEMRA
Baladë epike
Në agun e 20 prillit 1881, kur drita e mengjesit ngjante si teh shpate, pranvera sapo kishte shkrirë dëborën e maleve.
Pyjet e Koshareve, Slivovës e Shtimes kishin hedhur sythat e parë,por mbi fshatra rëndonte heshtja e luftës, heshtje që i prish këngën edhe bilbilit.
Atë ditë zogjtë ishin të trembur.
Gushëkuqtë nuk guxuan të cicëronin.
Harabelat mbetën të ngrirë nëpër degë.
Vetëm qyqja vajtonte diku larg, si kor i zi:
— Ku-ku! Ku-ku!
Mbi atë vajtim binte rrapëllima e topave të Dervish Pashës.
Era e barotit lëpinte tokën.
Era e vdekjes rendte mbi Slivovë.
Sulejman Vokshi, prijësi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ngriti shikimin drejt kodrës.
Topat osmanë çanin qiellin me flakë e hekur, duke shkundur malet e Kosovës.
Atëherë u ngrit Mic Sokoli.
Trupi, trung lisi shekullor!
Gjoksi, faqe shkëmbi të Jezercës!
Flokë, krahë pishe që i tund stuhia!
Mustaqet, re të zeza malesh pararojë!
Zëri, bubullimë e qiellit të hapur!
— Do t’i heshtim topat e turkut! — klithi ai.
Klithmën e mori mali, lugina, shkëmbi.
E mori vetë Shqipëria.
Trimëria i ndoqi nga pas.
Tre topa ua rrëmbyen turqve dhe ua kthyen turkut përmbys.
Gjëmoi kodra.
U thye radha e armikut.
Në majën e Slivovës, topi i katërt vazhdonte të shkrehej,si bishë e plagosur.
Çdo krismë rrëzonte një burrë.
Toka u mbush me gjak e me britma.
Mic Sokoli u ngrit në këmbë.
I madh sa mali.
I rëndë sa historia.
— Në sulm, o trima!
Mbi turkun!
Dielli i prillit, i ndezur si zjarr lirie, u ndal mbi qeleshen e bardhë të Mic Sokolit.
Në ato çaste ai nuk ishte më prej mishi.
Në ato çaste ai qe kthyer në këngë.
Në kumt.
Në legjendë.
Dhe për të shpëtuar shokët,pa menduar, pa u ndalur, ai vrapoi drejt grykës së topit…
E mbuloi me gjoks!
Shpërthimi tundi kodrat.
Flaka u ngrit në qiell.
Më lart se gjylja, më e thellë se bubullima, u dëgjua zëri i burrit nga Bujani i Tropojës:
— Pa u farue Malsia krejt,
Ktu nuk hin as krajl as mret!
Në qiellin e Slivovës, fluturonte një shqiponjë e madhe me krahë të kuq.
Ishte shpirti i një burri që kishte shtatë zemra.
Në kthetrat e saj tundej xhamadani i Mic Sokolit.
Skuqur jo nga gjaku i një njeriu, por nga zjarri i një legjende.
