Saturday, March 21, 2026
BallinaVitrina e libritQirici Mina-Tregim–legjendë. NATA E FUNDIT NË PREHËRIN E VASILIKISË

Qirici Mina-Tregim–legjendë. NATA E FUNDIT NË PREHËRIN E VASILIKISË

Gruaja e Ali Pashë Tepelenës martohet vetëm me Ali Pashë Tepelenën
E mbështeti me dhembshuri gruaje në prehër.
Edhe sonte do të flesh në vendin tënd, pashai im!
Ia përkëdheli flokët dhe mjekrën e bardhë, të spërkatur me gjak.
Nata jonë e fundit, por jo dashuria ime, pasha. Zemra ime do të jetë pranë teje. Bashkë me ty. Në këtë botë dhe në atë botë. Gruaja e Ali Pashë Tepelenës martohet vetëm me Ali Pashë Tepelenën. Në prehërin tim të virgjër nuk do të mbështetë kokën asnjë burrë tjetër.
Pashanë nuk e zinte kurrë gjumi pa mbështetur kokën në prehërin e Vasilikisë. Ishte parajsa e Aliut prej dymbëdhjetë vjetësh martesë.
Gjaku vazhdonte të kullonte ende nga qafa, prerë mizorisht prej dorës së xhelatit turk. Edhe të vdekur nga plumbat, ata e kishin frikë plakun tetëdhjetë e dy vjeçar. Kokën e tij e kërkonte sulltani në Stamboll, në tepsi argjendi. Do ta ngulte në majë të hurit. Të tmerroheshin ata që ngrinin shpatën kundër tij dhe perandorisë së tij.
Vasilikia i fshiu me pëllëmbë gjakun e mpiksur mbi mjekër.
-Dashuria ime…-psherëtiu.
Jeta ime.
Lumturia ime.
Nuk qante.
Aliu nuk i donte lotët në sytë e saj.
Gruaja nuk ia mbylli qepallat. Edhe pse i vdekur, sytë kishin ende një dritë të ngrohtë.
Mistike.
Hyjnore.
Kështu i kishte parë për herë të parë sytë e tij në fshatin e saj. Shpata e Ali Pashës ishte ngritur lart për të ndëshkuar babanë, vëllezërit dhe kushërinjtë.
Vasilikia vrapoi drejt tij si stuhi dëbore.
E bardhë.
Në sheshin e zi të luftës.
Klithi me zë laureshe, thëllëze dhe pëllumbeshe:
-Mos ua merr jetën, pashai i Janinës!
Të përgjërohem!
Të lutem si fusha malit!
Si vala bregut!
Si toka rrufeve të qiellit!
Ali Pashë Tepelena i ngriu shpata në dorë.
Engjëlli i vogël kishte zbritur nga qielli?
Me flokë gërsheta, lidhur pas ballit?
Me sy të kaltër si Vjosa në pranverë?
Luanit të Janinës i ra shpata nga dora.
-Je engjëll i bukurisë, zbritur nga qielli?-pyeti pashai.
-Jo, pashai im. Jam Vasilikia, vajza e këtij burri dhe motra e këtyre vëllezërve që ju kërkoni t’u merrni jetën…
Sa vjeç je, moj Vasiliki e bukur?
-Pas një muaji mbush pesëmbëdhjetë pranvera, pashai im.
-Po t’ua fal jetën babait, vëllezërve dhe kushërinjve… po ti, çfarë do të më falësh, bukuroshja e vogël?
-Unë jam një fshatare e varfër, pashai im. Nuk kam pasuri, veç zemrës së bardhë…
-Edhe unë këtë dua, Vasilikia: zemrën tënde. Po të jap dy vjet kohë që të rritesh. Kur të mbushësh shtatëmbëdhjetë pranvera, do të vij të të marr nuse.
Sytë e zinj i kishin marrë flakë.
Vasilikia e pa zjarrin e tyre, kur ai kërkonte ta shuante në sytë e kaltër të saj.
U plotësoftë dëshira e Zotit dhe e juaja, pashai im!
Ali Pashë Tepelena ishte gjashtëdhjetë e pesë vjeç.
Vasilikia e fshatit Plesivicë ishte pesëmbëdhjetë.
Dyzet vjet jetë më e re.
Dyzet vjet më i vjetër.
Dyzet vjet dashuri që nuk njeh moshë.
Të nesërmen, xhelati shkëputi me forcë nga prehëri i Vasilikisë kokën e përgjakur të Ali Pashë Tepelenës. Plaku tetëdhjetë e dy vjeçar vështronte me sytë e hapur Vasilikinë.
Jo për t’i dhënë lamtumirën.
Por për ta përshëndetur.
Dashuria e vërtetë nuk ka kurrë lamtumirë.
Vasilikia vdiq dymbëdhjetë vjet më pas, në moshën dyzet e pesë vjeçare.
Nuk u martua kurrë.
Në prehërin e saj të virgjër nuk mbështeti kokën asnjë burrë tjetër.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT