Era e vjeshtës lëkundte gjethet mbi rrugicën ku ata qëndronin përballë njëri-tjetrit.
Heshtja ishte e rëndë.
Ai e shikonte në sy.
Kërkonte diçka të njohur, diçka të gjallë, por ajo ishte larg, si një zjarr që ishte djegur dikur dhe që nuk mund të ndizet më.
-Ne nuk mund ta kthejmë atë që ishte, – tha ajo, zërdridhur.
Ai nuk foli.
Nuk kishte asgjë për të thënë. Çdo fjalë do ta bënte dhimbjen më të madhe. Zemrat e tyre ishin ende të lidhura, por rrugët e tyre tashmë ndaheshin.
Ai e shikonte të larguar, por brenda shpirtit të tij çdo moment i kaluar me të vinte si një zjarr i papërmbajtur. Kujtonte të qeshurat nën shi, prekje të vogla që flisnin më shumë se fjalët, dhe ëndrrat që kishin ndarë në heshtje, pa u trembur nga bota.
Ato kujtime tani ishin bërë hije!
-E di!- tha ai zëthyer. -Dhe, ende të dua!
Ajo iu afrua pak, por jo aq sa të ndante dhimbjen e tij.
Një aromë e njohur e kujtimeve të lumtura mbushi ajrin, por sytë e saj ishin të ftohtë, të qetë, të vendosur.
- Dashuria jonë… është një zjarr që është djegur, dhe nuk mund të ndizet më,- tha ajo, duke ulur kokën dhe duke e lënë atë me fjalët që lëviznin si flakë të fikura mbi zemrën e tij.
Një heshtje e rëndë ra mes tyre.
Të dy e dinin se çfarëdo që të ndodhte më pas, asgjë nuk do të ishte si më parë. Çdo shpresë për rikthim ishte e humbur!
U largua pak, duke ndjerë çdo hap si një peshë mbi zemrën e tij.
Çdo kujtim i saj vinte pa ftesë: aroma e kafesë që përgatiste në mëngjes, mënyra si buzëqeshte kur diçka e thjeshtë e bënte të lumtur, tingulli i zërit të saj kur e quante me një emër që vetëm ai mund ta ndjente.
Tani të gjitha këto ishin rrëmujë në mendjen e tij, si flakë që kishin djegur gjithçka dhe nuk mund të ringjalleshin.
Përpiqej të mos qante, por lotët iu shtrënguan brenda zemrës si rrënoja të një zjarri të shuar.
Zemra e tij, dikur e mbushur me dritë dhe ngrohtësi, tani ndihej e ftohtë, si hiri i një dashurie që ishte djegur.
“Si mund ta harroj atë që ka qenë?”-mendoi ai, duke e ndjerë dhimbjen që iu përhapej në çdo qelizë. “Si mund ta lë pas një zjarr që më ka djegur shpirtin dhe zemrën njëkohësisht?”
Ndërsa shikonte largimin e saj, një pjesë e tij e dinte të vërtetën e hidhur: Ndonëse dashuria ishte e thellë dhe e pastër, ajo tashmë ishte bërë kujtim.
Qëndroi aty, nën dritën e dobët të perëndimit, duke i lënë vetes të ndiejë secilën flakë të shuar, secilën dhimbje.
Dhe psherëtiu:
-Zemra mund të thyhet por ndjenja nuk do të vdiste kurrë.
Dielli perëndonte ngadalë pas majave të kodrave, duke ngjyrëruar qiellin me portokalli dhe të kuq.
Ajri i ftohtë i përplasej në fytyrë.
Befas një ngrohtësi e butë mbushi zemrën e tij.
Një lloj lumturie e heshtur.
Një kujtim që nuk mund të fshihej!
Një dashuri që nuk mund të shuhej!
Nisi të ecë drejt rrugës që do ta çonte larg asaj që kishte qenë e tij.
Çdo hap ishte i dhimbshëm!
Ndërsa largoheshin rrugët e tyre, kuptoi një të vërtetë të thjeshtë:
Edhe pse zjarri nuk mund të ndizet më, drita që kishte lënë pas nuk do të shuhet kurrë.
Ai e mbajti atë dashuri brenda vetes.
Të bukur!
Të përjetshme!