Fëmijëria ime ka pasur sy prej zjarri
Bebëza mallëngjimi, shikim engjëllor
Flokë kaçurrela që i krihte era
Një këmishë plot arna – pikturë dekadente
Pantallona të grisura të hekurosura në ëndërr
Këmbë të vockla ka pasur fëmijëria ime
Shpesh të përgjakura shkrepave të vendlindjes
I kishte opingat tërë dhé, tërë baltë
Po gjaku me aromë toke lëvizte damarëve
Ka pasur në fëmijërinë time rrahje, sherre, vaje
Qortime të rrepta të babait, këshilla të mësuesit
Plot obligime për mësuarje vjershash, formulash
Kryengul ka rënë prej kalit të baladave.
Fytyrë mjerimi kishte fëmijëria ime
I ka munguar xhita, me top leckash luante
Në lëng djathi të Katanës ngjyente bukën
Hante dardha të egra, në fërkem kali ujë pinte
Fëmijëria ime e grisur ferrave të shpirtit.
