Më vrit dhe ti,
Ashtu si më vranë me vështrime,
me fjalë, me shpifje,
Me intriga e brenga zbrazur nga kazani i shpirtrave të atyre që vlojnë padrejtësi,
E ndihen të pavlerë, kur dikush tjetër para tyre me hapa të sigurt kalon.
Më vrit edhe ti,
sikundër më vranë ca silueta të tjera
Të mbarsura me farën e lakmitarit,
Zullumi i tyre s’ka limit, as peshore
për të matur sasinë e babëzisë,
se verbëria u ka pushtuar të gjitha qelizat e s’ndjejnë më aspak dhembsuri, as për atë që lyp në udhët e vuajtjes e ngopet me gllënjkat e lotëve të tij.
Hë pra, ç’pret?!
Më vrit dhe ti, që thua se bota po
ndryshon.
A nuk i ke parë netët me shi,
trishtimin në barraka ,kur vajton
si Ajkuna mbi tjegulla të copëtuara prej varfërisë shekullore dhe grahmat e ngulçimave shpojnë tejepërtej arterien qiellore?!
Më vrit dhe ti që me heshtjen tënde
më ke vrarë me mijra herë, por dije se,
unë do ringrihem përsëri e përsëri,
ashtu si dielli kur ringjallet çdo agim,
Me shpresën që mbaj varur si medalion hëne,
Mē vrit, pra ti, që ke vrarë kohën time,
Ti , që kurrë s’besove në veten tënde.
