Poetja Valbona Hoti pas një përvoje të gjatë në rrugëtimin e saj poetik, vjen para lexuesve me vëllimin e saj, të pestin me radhë ’’Vargjet e mia flasin’’, i konceptuar në tre cikle: ’’Unë flas me vargje’’, ’’Jeta kalon shpejt’’, ’’Në heshtje më gjete’’.
Poezitë e këtij vëllimi poetik kryesisht janë të motivit erotik, por që një pjesë e këtyre poezive janë edhe të motivit social. Poetja Valbona tani është e njohur si poete e mirëfilltë e letrave shqipe në mbarë hapësirat shqiptare e më gjerë, e them këtë duke u bazuar në vëllimet e saja të më parshme, si një krijuese shumë dimensionale e mjaft e suksesshme në fushën e artit poetik.
Valbona në vargjet e saja erotike, dashurinë e paraqet si një ndjenjë të shenjtë, që duhet ta pranojmë, si diçka që shpërthen nga brendia e shpirtit, si e natyrshme, pa ngarkesa e paragjykime, pa frikë, por që secili ta jetoi e shijoi jetën e vet, t’i realizoi ëndrrat sipas dëshirës e arsyes.
Vargu i poetes është i pasur për kah tematikat e saja. Ka mesazh, figuracion si dhe një stil, që e karakterizon unin e saj, prej një poeteje të suksesshmë në fushën e artit të bukur letrar.
1.Le të dëgjohet vargu i poetes
Cikli i parë, ’’Unë flas me vargje’’poetja fillon me poezinë ’’Vargjet e mia flasin’’, ku edhe ky vëllim mban këtë titull, një gjetje mjaft e bukur artistike, ku folësja lirike flet për heshtjen, dashurinë, për ty, për atë, për mallin. Ato janë lot, net, shpresë, copëza zemre të shpërndara gjithë andej, që lë gjurmë të pashlyera tek të lexuesit.
Vargjet e mia flasin
Kur unë hesht, ato bërtasin
Kur më dridhet zëri
Ato janë të drejta si thika
Flasin për dashurinë e pathënë
Për humbjen që si shpjegon dot as koha
Vargjet e mia flasin
Edhe kur askush s’i lexon
Sepse është zemra ime
E shpërndarë në copa letre
Që ende të kërkojnë
Poetja është e lidhur ngusht me secilin varg të këtij vëllimi poetik, me një përkushtim e punë sistematike, krahas punës saj profesionale, si profesoreshë e gjuhës shqipe e drejtoreshë shkolle aktualisht, gjen kohë për t’u marrë me artin e bukur letrar.
Këtë pasion e vërejmë te metaforat e saja, ku shpesh dialogon me vargjet, si te poezia ’’Unë flas me vargje’’.
Nuk flas më me zë
Fjalët e mia tani janë vargje
Të heshtura, por të gjalla
Si dhimbja që nuk ikën
Por më mëson të jetoj me te
Poetja te kjo poezi sikur flet me vargjet e saja, është e lidhur fort me to, pa të cilat nuk mund ta paramendojë jetën.
Një lirikë e realizuar mjaft bukur artistikisht nga poetja Valbona është padyshim poezia ’’Thuaje sot që të dua’’, mos hesht, mos e lë dashurinë të kalojë pa zë.
Thuaje sot që të dua, mos prit për nesër
Se ndoshta nesër, nuk do jem më këtu
Thuaje sot, edhe nëse zëri të dridhet
Më mirë një e vërtetë e trazuar
Se një heshtje që djeg pa mëshirë
Me një zemër që priti kot, për një ’’Të dua’’
Të kësaj natyre janë edhe poezitë: ’’Pres një të dua’’, ’’Dashuria që mbeti vetëm ëndërr’’.
Te poezia ’’Do doja të ishte ndryshe’’ nuk pajtohet me mënyrën e të shprehurit të dashurisë, nën presionin e frikës e të paragjykimeve, por që ajo të ndodh lirshëm, ashtu siç ia dikton bota e brendshmë shpirtrore.
Do doja të ishte ndryshe
Të mos kishte mure të padukshme mes nesh
As fjalë të pathëna
Që rëndojnë si gurë në shpirt
As sy që shmangen
Kur zemrat klithin për njëri-tjetrin
Do doja të flisja lirshëm, pa frikë e ndalesa
Të doja me zë, jo në heshtje që më mbyt
Të ngjashme janë edhe poezitë: ’’ Pse ende të dua’’, ’’Kam besuar në dashurinë tënde’’, ’’Për ty, frymëmarrja ime’’ etj.
Poetja është e lidhur fort me vargjet e saja, me artin e së bukurës, me tematikën e dashurisë, ku i jep jetë opusit të saj krijues.
Një lirikë mjaft e fuqishme erotike është edhe poezia ’’Të dua, shpirt i shpirtit tim’’, si dhe ’’Pres, një të dua’’.
Te poezia ’’Të dua, shpirt i shpirtit tim’’ folësja lirike sikur e ngritë në shkallën më të lartë aktin e dashurisë e atë të ndjesisë, gjer në ekstazë.
Të dua
Jo për të më kthyer
Por që ta dish
Askush s’do të dojë si unë
Shpirti i shpirtit tim
Secila prej këtyre poezive më të bukura sesa të tjetrat, si në aspektin përmbajtësor, ashtu edhe në atë emocional, në të cilat shprehet një dashuri e çiltërt, pa fjalë të mëdha, por me një thjeshtësi, ku poetja shfaq atë ndjenjën e brendshme, siç shihet te poezia ’’Pres një të dua’’.
S’dua shumë
Veç një fjalë
Atë më të thjeshtën
Por më të vërtetën
Të dua
2.Të shijohet jeta
Në ciklin ’’Jeta kalon shpejt’’ kemi ca poezi të motivit social siç janë: ’’Jeta kalon shpejt’’, ’’Pse jemi këtu’’, ’’Jeta e bukur për të qenë e vërtetë’’, ’’Jetoj, sepse dua të jetoj’’.
Jeta edhe pse është e shkurtër, ajo është e bukur, që duhet shijuar.
Të poezia ’’Jetoj, sepse dua të jetoj’’ poetja ndër të tjera përmes vargjeve lirike thotë:
Jetoj jo nga zakoni, as nga detyrimi
Po nga ai zjarrmi, që djeg nga përbrenda
Se pavarësisht plagëve në shpirt e në trup
Unë zgjedh jetën, zgjedh të jem e pranishme
Jeta është sprovë që përballësh më të papritura e me plot fshehtësi, por që poetja gjen forcë dhe mund çdo vështirësi, është e pathyer dhe ka besim në jetë për t’ia dalur mban. Jeta është e bukur, pavarësisht zhgënjimeve që herë pas here na ndodhin të pa priturat në jetë e që duhet t’i përballojmë me qetësi e maturi, sido që të jenë ato.
3.Dhimbja e zërit lirik
Vargjet e këtij cikli poetik përshkohen shpesh herë me dhimbje, ku pas çdo zhgënjimi ngrihet edhe më e fortë. Kjo shihet qartë te poezia ’’U ktheva, rilinda përsëri’’, ku ndër të tjera poetja shpreh këtë ndjesi përmes vargjeve mjaft të arrira artistikisht:
U ktheva nga fundi i heshtjeve të mia
Aty ku zemra s’dinte më si të rrahte
Nga humnerat e dhimbjes
Nga rrëzimet pafund
U ngrita e lodhur, por më e gjallë se kurrë.
Të kësaj tematike janë edhe poezitë: ’’Lufta kundër dhimbjes’’, ’’Ishte bukur, por nuk është më’’, ’’Kur mbetet fryma e fundit tek ne’’, ’’Pengesat mes nesh’’.
Është e dhimbshme kur nuk realizohet një ëndërr, një dëshirë, ku aty në mes ngrihet një mur i pa kapërcyeshëm. Kjo përshkruhet bukur nga folësja lirike te poezia ’’Pengesa mes nesh’’, ku dalin pengesa nga njerëzit, që janë të prirë për të bërë vepra të këqija e që mundohen të shkatërrojnë çdo gjë të arritur e të mirë, nga xhelozia që kanë ndaj të tjerëve, ndaj të bukurës.
Në mes të dy zemrave u ngrit një mur
I padukshëm, i ftohtë dhe aq i fortë sa nuk thyhet
Fjalët u bënë heshtje dhe heshtja bëri plagë
Një pengesë që asnjëri nuk donte ta pranonte
Kur dashuria e zjarrtë nuk realizohet, atëherë ajo dhemb e sa do që të dhemb, ajo është e bukur.
Dhembjet e tilla reflektohen bukur te poezitë: ’’Ah, sa më dhemb dashuria për ty’’, ’’Kur gjithçka filloi’’, ’’Lufta kundër dhembjes’’ etj.
Poetja Valbona Hoti gjithnjë e më shumë po dëshmohet si një poete moderne. Ajo në botën e saj poetike rreshtohet krahas krijuesve të tjerë bashkëkohor në aspektin kuptimor e artistik.
Cilido lexues që e merr në dorë këtë vëllim poetik do ta lexon më shumë se njëherë, ngase vështirë është që të ndahet nga lirikat e saja erotike me një të lexuar.
Nëntor 2025
