Wednesday, March 25, 2026
BallinaLajmeRikthehet dimri: Ndryshim i fortë i motit brenda 24 orëve, masat polare...

Rikthehet dimri: Ndryshim i fortë i motit brenda 24 orëve, masat polare sjellin edhe borën në fund të marsit

Ndonëse më 20 mars 2026 kemi hyrë në stinën e pranverës, meqenëse dimrat po janë të butë dhe me fare pak borë, jemi dëshmitarë që, si çdo vit tjetër, në fund të marsit dhe në prill kemi zakonisht ndonjë goditje polare, e shoqëruar me ulje të temperaturave dhe, lokalisht, reshje bore edhe në zona të ulëta.

Në këto kushte, duke nisur nga dita e enjte, e cila fillimisht do të mbetet e ngrohtë, me temperatura deri në 18°C, por me një fuqizim të ndjeshëm të erës nga drejtimi i perëndimit, jugut dhe juglindjes, me shpejtësi mjaft të fuqishme, lokalisht deri në 80 km/h, moti do të karakterizohet kryesisht me diell në orët e mëngjesit.

Gjatë ditës, me afrimin e ciklonit nga Italia, pritet shtim i vranësirave, duke mos përjashtuar mundësinë për reshje të izoluara, sidomos në Rrafshin e Dukagjinit. Në mbrëmje, pritet që gradualisht të arrijë fronti i ftohtë me lëvizje nga perëndimi drejt lindjes, duke sjellë reshje shiu në të gjithë vendin, të cilat, deri pak para mesnatës, pritet të përfshijnë edhe pjesën lindore.

Pas mesnate, konkretisht gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe në mëngjesin e ditës së premte, reshjet e mbetura dhe të përqendruara në Rrafshin e Kosovës nga ky sistem në lëvizje, i kombinuar me masa të ftohta me origjinë polare, përveç zonave malore që do të përfshihen nga reshjet e borës, pritet të prekin edhe disa zona të ulëta në pjesën e lartcekur.

Pas largimit të sistemit frontal në drejtim të lindjes së kontinentit, gjatë ditës do të ketë intervale me diell dhe ngritje të temperaturave rreth apo pak mbi 10°C. Megjithatë, për shkak të paqëndrueshmërisë në kushtet termike, priten zhvillime konvektive të vranësirave me karakter të izoluar, të cilat lokalisht do të përcillen me rrebeshe shiu, breshër të vogël dhe disa shkarkesa rrufesh.

Të shtunën dhe të dielën, qendra e presionit të ulët e pozicionuar mbi Greqi parashihet të gjenerojë reshje të reja, kryesisht në formë shiu në pjesën më të madhe të vendit. Megjithatë, herë pas here, në mëngjesin e së shtunës dhe në natën mes së shtunës dhe së dielës, pritet të shndërrohen në shqotë dhe borë, sidomos në pjesë të Rrafshit të Kosovës.

Temperaturat minimale do të mbesin afër pikës së ngrirjes, ndërsa ato maksimale rreth apo nën 10°C në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në disa zona edhe rreth 5°C, varësisht nga intensiteti i reshjeve, i cili mund të ndryshojë për shkak të lëvizjes së qendrës ciklonike. /MeteoKosova/

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT