Mbrëmja purpur ul mbi Korçën time,
digjen pijetoret; në sokak
bie një kitarë e muzgu dridhet,
hapen perdet tinëz pak nga pak.
Hapet një kanatë, dridhen perdet,
zemra brof si zog i arratisur,
zog që befas kthehet e gjen çerdhen,
çerdhen që një vjeshtë e ka braktisur.
Sytë i ngre andej ku nxin një dritë,
era djallëzisht me mua lot;
perdet pas dritares ven e vijnë…
Bëje të ma japë zemrën, o Zot!
Se dikur më lutej: “A do vish?”
Loti i saj pikonte i pafaj.
Ku ta gjej t’i falem e sërish
t’ia puth ata sy e lot në vaj?
Sytë bëj t’i ngre, po s’i ngre dot,
më rëndojn’ qepallat si mëkat;
shkela pa mëshirë mbi ata lot,
udha nuk më nxë as fillikat.
Por ajo që dashur kam më parë
shenjë nuk më jep, perden s’e lot.
Do këndoj gjith’ natën me kitarë
gjer të bëhem tingull, gjer një lot.
Mbrëmja zbret mbi Korçë e një kitarë
shkon zemër më zemër malli i vjetër
sonte s’do të fle jam një i marrë
do këndoj për të si askush tjetër.
