Ia krisi shiu
Ia krisi shiu me të madhe.
Bataret e tij këputën bisqe e fletë
nga trungu i nxehtë i mesditës.
Shpërthim i shurdhët nëndheu. Ulërimë…
Ngazëlleva midis eshtrash, dëfreva:
- Oh ç’shi, ç’rrëmet! – e gjoksin
e ndeha nga ajri i lagësht,
gjakuar për më shumë rrebesh,
shkrehje e gjëmime e qiej rrëzuar përdhe…
Derdhuni, o qiej, lëshoni kamzhikët,
litarët tuaj të lagët me flakë vetëtimash,
bini mbi mishin tim të flashkët
t’urtuar për vetëfshikullim e ndëshkim!
Gjuhëprerë do t’ju pres, mëgjunjur;
kjo paqe e përfjetur e myshkët, e shterpët
me të njëjtën fytyrë motesh pa jetë
më ka ardhur në fyt.
Mbushur m’i ka kupat përditë e unë
përherë i njëjti kam mbetur:
i verbri që lyp gjakun e tij apo
pijaneci që këndon këngën më të zvargur të ditës
e s’i thotë jo, kurrë gotës që para i venë.
Krisi.
Më në fund krisi: stuhi…
lajmëtarët kuturisën të vijnë
me kumtet e gjëmës hakmarrëse.
Harruar kishim:
kambanat do të binin një ditë;
teatri dalë nga mitra e absurdit
do të shembej një ditë.
O shpirt,
Zgjohu e dil lakuriq, sonte ke fatin
të shkëputesh prej eshtrash e mishit;
gëzoju kamxhikëve të shiut, rrufeve,
flakërimave e shuplakave të erës,
e shpëlahu nga tërë kjo përllangie dheu e plehu
që vënë të kanë përfund;
stuhia nuk vjen asnjëherë kot, ndaj
guxo, mor guxo, po derdhet për ty!
Mendo ç’kënaqësi ç’dëfrim do të jetë
të hakmerresh me botën, të pangopurit
dhe veten!
