Shpirti ka stacione në itenerarin e tij
Si treni, autobusi, aeroplani
Ai pushon e kënaqet me fëmijë
Fluturat kur i ndjekin te livadhi.
AI çlodhet kur vjen në shtëpi mërgimtari
Zemra e nënës kur gëzohet
Në oxhaqe kur ndizet zjarri
E motra me vëllain përqafohet.
Krejt zallahia i zhdaravitet shpirtit
Loti i jetimit kur pushon
Bujku kur siguron bukën e vitit
Magjeja e shtëpisë kur bardhëson.
Një varfnjaku kur i ngritet një shtëpi
Streha e jetës kur lëshon shtat
Shpirti lëshon currila plot dashuri
Dhe lutet me më të bukurën uratë.
Një zogë kur e shpëtojmë nga acari
Një kanarinë në dritaren me akull kur sulet
Akullnajat e shpirtit shkrihen si pranë zjarri
Një fidanishte bulon si kopshtet me lulet.
Dy njerëz kur duhen pa interes
Shpatijeve të kësaj jete hileçare
Shpirti kurrë nuk vdes
Veç fluturon lart në botën pa zjarre.
