Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, ka zgjatur qëndrimin e tij te klubi italian Napoli, duke firmosur kontratë të re që e mban në “Diego Armando Maradona” deri në vitin 2028, me opsion rinovimi deri në 2029.
Sipas të përditshmes italiane “Il Mattino”, marrëveshja e re e vendos Rrahmanin në mesin e lojtarëve më të paguar të skuadrës napolitane, me një pagë prej 4 milionë eurosh në vit.
Që prej transferimit nga Hellas Verona në vitin 2020, Rrahmani është shndërruar në një shtyllë të mbrojtjes së Napolit dhe një prej figurave më të rëndësishme të klubit.
Ai ka qenë protagonist në sezonin historik 2022/23, kur Napoli fitoi titullin e Serie A pas më shumë se tre dekadash, si dhe në sezonin e kaluar, ku ishte lojtari me më shumë paraqitje në formacionin napolitan.
Rinovimi i Rrahmanit shihet si shenjë besimi nga drejtuesit e Napolit, të cilët e konsiderojnë atë lider brenda dhe jashtë fushës.
29-vjeçari nga Prishtina është gjithashtu kapiteni i Kombëtares së Kosovës, ku vazhdon të jetë një nga figurat më të rëndësishme të “Dardanëve”. /Rtk live/