“Rruga e kthimit dhe tregime të tjera” i Alban Hajrushit është një përpjekje serioze për të ndërtuar një univers prozaik të mbështetur mbi heshtjen, mungesën, pritjen dhe kujtesën.
Tregimet e këtij vëllimi nuk mbështeten në ngjarje të mëdha apo kthesa dramatike, por në mikrodrama të brendshme në të cilat emocioni zhvillohet ngadalë.
Autori zgjedh situata të thjeshta, por të ngarkuara simbolikisht: një pritje pa fund, një rrugë që mbetet, një hije që nuk kthehet, një vajzë pa emër, një plak, një shtëpi që hesht. Tregimet e tij sillen rreth vetmisë njerëzore, ndarjes, humbjes, mallit për kthim dhe përpjekjes për pajtim me të shkuarën.
Në tregimet si “Në pritje”, “Hija që s’u kthye” apo “Borë” pritja nuk paraqitet si akt pasiv, por si një formë ekzistence për të jetuar me mungesën dhe për ta mbajtur gjallë kujtimin. Ndërsa te tregimi “Rruga e kthimit” autori përmbledh simbolikisht boshtin e librit: kthimi nuk është domosdoshmërisht fizik, por emocional dhe shpirtëror, drejt familjes, kujtesës dhe vetes.
Përshkrimet e natyrës, stinëve, dritës dhe heshtjes janë të shpeshta dhe luajnë rol të rëndësishëm në ndërtimin e atmosferës.
Një tjetër veçori në tregime është mungesa e thellimit psikologjik të personazheve, të cilët shpesh mbeten figura simbolike më shumë sesa karaktere të individualizuara. Hajrushi dëshmon një vetëdije të qartë letrare dhe një zë që, edhe pse i qetë dhe introspektiv, arrin të bëhet i dallueshëm.
