Kaloi fëmijëria ime
këtejpari,
ngarkuar lojërash,dëshirash,
buzëqeshjesh moskokëçarëse,
dhe ëndrrash që përkunden
si në një lisharëse,
kaloi ,
por sa shpejt që iku,
akoma pashijuar,
si një kujtim të vyer,
ca lodra më la në duar,
më la në kujtesë
ca lojëra pambaruar.
Kaloi rinia ime,
këtejvona,
ngarkuar ëndrrash,
ndjenjash,emocionesh
fytyrëprush,
kaloi fluturimthi
hipur mbi një kalë të bardhë
fluturak,
kaloi,
por nuk e mban mend askush,
magjia e asaj kohe,
harresës zënë në lak.
Kaluan
dy simotrat e moshës sime
dorë përdore,
morën me vete gjithçka të vyer,
kaluan si njëra-tjetra
ashtu moskokëçarëse,
e tash si në një ëndërr,
makthi zemrën ka mbërthyer.
