Të qajmë për jetën apo për vdekjen,
që keq janë vënë në garë,
të dyja janë pjesë e jona,
për kë të qajmë më parë?
Të qajmë për jetën e katandisur
çdo ditë keq e më keq,
e shtrenjtë sa s’blihet
për asnjë vlerë,
çdo gjë e çon për dreq.
Të qajmë të ngratën e pasigurtë,
çdo ditë na kall frikën,
që nga mëngjesi,gjer në mbrëmje,
nga pas na e mban thikën.
Të qajmë për vdekjen,sigurisht,
për të qajmë me shekuj,
se atë lotët e përligjin,
jeta tej e hedhur.
Të qajmë rininë a pleqërinë,
vdekja dhemb njësoj,
por kur një prind përcjell fëmijën,
dhimbjen jo s’dua ta mendoj.
Të qajmë për mizorinë njerëzore,
që engjëllin përcjell në varr,
dhunuesi gjallon si vemje mbi tokë,
për kë të qajmë më parë?
Të qajmë për tokën e përgjakur,
qiellin në të qarë,
për botën mbytur ligësisë,
për kë të qajmë më parë?
Të qajmë për gjakun tonë të shprishur,
si gjethe nëpër botë shpërndarë,
e dheun mëmë s’e harruan,
për kë të qajmë më parë?!
Të qajmë për jetën a për vdekjen,
të dyja vënë në garë,
në mes tyre një fije floku,
për kë të qajmë më parë?
Por lotët nuk po bëjnë derman,
kripa faqeve tharë,
as ulërimat e piskamat,
s’po dimë kë të qajmë më parë…
