Ç’TË DHEMB, O SHPIRT!? - Britmë kushtrimi
Kortezhe të zhurmshëm derdhen sheshesh
Kurmin ta shkelin të egërit trafiqe
Ç’duan nga ti populli im?!
Lemeria e tyre nxin dheun që tutje
Ç’kërkojnë vallë, ofiqe a çifligje?!
Blu, të kuq, të verdhë, portokalli!
Ylbere flamujsh, fytyrash, fjalësh
tinguj të zbrazët në një zallahi
turmë të vdekurish, varre të gjallësh
Si mundet Zot të jemi kaq mjeranë
dheun që na rriti mbulojmë me tradhti
klithma kacafytje… e frikshme dhe heshtja,
Korbëzinj që lirinë mbajnë në kthetra!
Përse Zoti im vendin ma le pa emër!
Valëviten mbi kurm fjalë, flamuj të dehur
Ata vetëvriten, vetë shpallin pafajësinë,
ata vetëshiten, vetë shpallin pavarësinë.
O Zot, që dhimbjet mirë ia di dheut tim
di plagët e Myzeqesë e lotin nëpër Drin
ti që sofrën vëzhgon përherë tek zbrazet
rrezen tek fiket e lirinë tek zmbrapset.
Eja,na bëj bashkë ta shpëtojmë dheun e etur,
Nga thundra kalbësirës shkelur egër, rëndë,
babëzisht prej vitesh shqyer, vjedhur
lulëzimesh të ngrihet nën bekimin Tënd!
Të ndriçojë kjo tokë, !
kjo Shqipërizë zonjë
