Saturday, December 6, 2025
BallinaVitrina e libritRudina Muharremi Beja-PO BIE BORË

Rudina Muharremi Beja-PO BIE BORË

Po bie borë këtu.
Njerëzit rendin të shlyejnë zotimet e ditës,
s’kanë kohë të vështrojnë mantelin e bardhë
që qielli hedh mbi supet e tokës,
as ndjeshmërinë e fjollave që prekin lëkurën
si një përkëdhelje e heshtur,
e pastaj shuhen menjëherë,
si premtime të pambajtura.

Po bie borë.
Në shpirt më zgjohet një brishtësi e fjetur,
një nostalgji që ngre gjakun në këmbë,
sikur të donte të më kujtonte
se koha rrjedh edhe kur ne ndalemi.

Nuk ngopem duke parë nga dritarja
si natyra ndërron pamjet,
si bardhësohet çdo kujtim,
si më fton të pranoj se një vit tjetër po ikën
pa kërkuar leje.

Pastaj trishtimi më mjegullon sytë,
dhe një lot gjen shtegun e tij
si një fjollë që çliron qiellin nga pesha.

Kam ankthin e nënës:
ditët ia gërryejnë vitet,
dhe ajo tretet pak e nga pak
para syve të mi të pafuqishëm.
Bija rritet, dhe në rritjen e saj
ëndërroj e dridhem njëkohësisht,
se ndoshta një ditë do të më largohet
si një flutur që kërkon dritën e vet.

Por jeta është një rreth magjik,
na lidh e na zgjidh me fije të padukshme,
na mban peng të së bukurës dhe humbjes
në të njëjtin hap.

Po bie borë këtu.
Dhe krejt brishtësia e shpirtit tim
bëhet një me fjollat e pafajshme
që bien të heshtura mbi tokë,
për t’u shkelur më pas
nga hapat e nxituar të kalimtarëve
dhe këmbët e çapkënta të qenve
që ndjekin padronët e tyre.

Po bie borë…
Dhe mua më duhen një palë flatra,
të ngrihem lehtë mbi bardhësinë,
pa lënduar asnjë fjollë që zbret si fryma e engjëjve,
të paktën derisa ajo vetë të ngjizet,
të marrë kurajën e dritës së saj,
dhe të mos e ndiejë më peshën
e hapave tanë të rëndë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT

Poem by Robert Frost

Poem by Lewis Carroll

Poem by D.H. Lawrence