Wednesday, January 21, 2026
BallinaVitrina e libritRudina Muharremi Beja-VALIXHJA E MALLIT

Rudina Muharremi Beja-VALIXHJA E MALLIT

VALIXHJA E MALLIT

Valixhja është gati…
Oh sa e rëndë!
Ka brenda vetëm një grusht dhè;
Aromën e bukës,
të ujit të pusit
e të kodrës së mallit…


Në xhepa, ca dhimbje.
Një muzg agimi,
një zhytje dielli.
Lidhur me një fjongo të kuqe,
kujtimet…


I ruaj me kujdes,
si rripin bojëhini që kam në brez,
Gjallë frymën të më mbajnë
rrugëve të botës,
në kërkim të vetvetes,
të kafshatës pa shije,
të njerëzve të ftohtë,
ditëve të shkurtra,
fjalëve njërrokëshe,
apo verave të varfra pa këngë e valle…


Dimrat kërrusur në borë e halle,
Sakrifica që s’shihen,
të afërm që s’njihen…
Njëlloj valixhja, vit pas viti!
Asgjë s’ndryshon, veç ne plakemi,


Harrohemi fjalëve të kota,
mbi shpinë të tjera torba.
Nyjë e mallëngjimit lidhur për fyti,
mbi krye padronë,
e malli, brinjëve gjëmon…

Dita, muaji, viti jeta,
sa hap e mbyll sytë shkojnë
E unë me to shuhem
brigjeve t’ dheut t’ huj
Një ditë tri vjeshta,
mallin n’ valixhe ruj!

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT