TË MENDOJMË MË NDRYSHE
Largimi ynë nga qendra e gravitetit
Na bën ta humbim drejtpeshimin
Të tjetërsohemi duke hyrë në zonën e pezullimit
.
Na përzihet gjaku, jeta bëhet e hidhur
Shkëputemi prej trungut, prej atij shkëlqimi të lashtë
Dihet zanafilla jonë, dhe s’e fshehim ndonjëherë krenarinë
Për shembëlltyrën e qëndresës, për ajrin që thithim
Për plagët në trup, të mbuluara me petkun e qenies sonë
Petkun mbrojtës nga rrebeshet e stinëve historike.
Tani, të tëhuajtur me një letërnjoftim të ri
Duke u ngjitur shkallëve të botës së pafund
Të pajisur pa pajtim shpirtëror me artifice
Detyrojmë veten që të jetojmë më ndryshe,
Të mendojmë ndryshe, të ecim ndryshe.
Të dehur nga ëndrrat
Lejuam ta sulmojnë nga brenda
Kryeqytetin e lirisë
Për të na e përmbysur e për të na e shkulur edhe shpirtin
Nga rrënjët tona të mbështjella me dashuri
e përjetësi.
