GJURMET MBI KALLDREM
Rrugicave kërkova kujtimet,
e ditëve të rinisë sime dikur,
kur ecja me atë ritmin rinor,
kalldrëmit udhës gur mbi gur.
Në qytetin tim tash jam kthyer,
ku renda tok me flladin me erën,
dhe kur me shpirtin tim krejt të dlirë,
mëngjeseve zgjoja pranverën.
Tek eci rrugicave të lashta,
dhe shfaqet përmallshëm çdo gjë,
më rikthehen kujtimet dhe shohin,
ashtu si me droje pa zë.
Në të tjera udhë më çoi jeta,
dhe koha në të tjera hapësira na gjen,
veç në shpirt të kam kurdoherë,
o i shtrenjti im Prizeren!
