Saturday, December 27, 2025
BallinaVitrina e libritSheqere Sina-Plagë kurbeti.

Sheqere Sina-Plagë kurbeti.

Plagë kurbeti.

Ndihem tokë e vetmuar,
rënkim nëne, e lënduar.
Rënkon toka e duruar,
cep më cep e skllavëruar:
-Ma rrëmbyen, nuk e di,
Det i Kuq a det i Zi,
M’imorën në arrati,
Ç’kisha nipër e fëmijë,
Ç’kisha djalë e ç’pata bijë.


Vajza ime si Pranverë,
ka kaq vjet që s’është ndierë.
Meket nëna përmbi prag:
këtë dhembje s’e kam hak…
Mërmërin nëna me vete:
Zot, o Zot!Sa keq më trete!


Veç pallatet bëjnë hije.
Ku është zëri i sime bije?
Ku qesh vallë, a ku po qan,
kokën në gji kush ia mban?
Vetëm mure ngjyrë mavi,
që pa njerëz, s’quhen shtëpi.
Në oborr, hapat i zgjas,
hije para, hije pas…


Kthehem dhe hap një dollap,
marr një rrobë që la kujtim.
Çfarë të mbyll e çfarë të hap,
Kujt t’i them se ndjej gëzim?
Sytë fshi dhe vështroj vëngërr;
Lart në qiell, as dreq as ëngjëll…

Dua vajzën, ta martoj,
t’i vesh vello nusërie…!
Ç’më përket si nënë kërkoj,
…tej në kopsht enden veç hije!


Hije që më vijnë nga larg,
tretur rrugës së kurbetit.
Rrjedhin faqes, lotët varg,
njomin heshtjen e qytetit.


Thinjat kokën kanë zaptuar .
Rrudhat zgjaten, sa shëmtuar !


Sytë mjegull, lot pikojnë,
Yjtë në qiell, mezi shikojnë.
Yll, o yll, që rrezaton!
Djalin tim, dot e shikon?
Thuaji: nëna të kërkon,
është shtrirë edhe rënkon…


Hije zgjaten që nga larg,
tretur rrugës së kurbetit.
Dorë më dorë… hije varg,
ngopin heshtjen e qytetit.


…dhe ç’do ndodhë? S’është çudi,
te vrapojmë pa shpresë në ëndrra.


Sime bije,ndoshta, tim biri,
do t’i shfaqet në gjumë nëna,
që e shpien në varreza,
veshur bukur, veshur nuse…
Mall mërgimi shpirti brenda
dhe…ofshama: Eh, fatzeza…!

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT