FSHATI I BRAKTISUR
Fshati i braktisur
Sot flet me mërzi,
Unë thotë ju kam rritur
Me plot dashuri,
Me barin e fushës
Ju kam përkëdhelur,
E për syrin tuaj
Malet i kam veshur.
Shegës, luleshtrydhes,
I dhashë ëmbëlsi,
Drunjëve halorë
Forcë e hijeshi,
Gjatë verës mbëltoja
Mollë, dardha e pjeshkë,
Për krushqit e vjeshtës
Rrush të zi në vreshtë.
Mesit të prerisë
Luhej, vallëzohej,
Nga zëra të lumtur
Hareshëm këndohej,
E tash si pikë vese
Që bie dhe tretet,
Shumë vatra të dijes
Pa nxënës po mbeten.
Pa ju të vetmuara
Ndjehen rrugët tona,
Pa kostarë livadhet
Lugjet pa jehona,
Pa ju mbeten mrizet
Zogjtë, çdo shkrep e gur,
Ara e kopshtije
Çdo shtëpi, çdo mur.
Vërshuan perëndimin
Mesues, profesorë,
Artistë, inxhinierë
Me diplomë në dorë,
Mjekë e infermiere
Shtegtuan si zogj mali,
E disa po ikin
Andej oqeani.
Çdo ditë zbrazen sheshet
Nga dhjetëra të rinj,
Shkojnë nuse të reja
Me dy-tre fëmijë,
Disa s’gjejnë as punë
(Siç ka ngjarë shpeshherë,)
Por shumë prej këtyre
Vetit ia bëjnë verë.
Dhe të zemëruara
Flasin nënat tuaja,
Që s’kanë lind fëmijë
Për vende të huaja,
Tash kur kemi shtet
Kemi pavarësinë,
Vallë pse se gëzojmë
Këtu ardhmërinë?!
