PO IKËN RINIA, DRITË E SYVE TANË
Po ikën rinia, dritë e syve tanë
Shumica prej tyre me grua e fëmijë,
Janë shpërndarë si qyqet kudo nëpër botë
Duke i lënë prapa oborr e shtëpi.
Duke i lënë prapa NËNËN e BABAIN
Ata që i rritën, i bënë këmbë e duar,
Prindërit e dashur, trungu familjar
Dje fole e ndritur, e sot të vetmuar.
Me ëndrra të fjetura e kapërcejnë natën
E në ag mëngjesi zgjohen të mërzitur,
Ndërrojnë ndonjë fjalë për nipa e mbesa
Të sëmurë, të lodhur, me shpirt të uritur.
Dhe fare s’po ndalet ky trend i largimit
Tash kur kemi shtet, e kemi lirinë,
Kur për herë të parë ndrit për ne ky shekull
Ta ndërtojmë së bashku, paqen, ardhmërinë.
