Shkon në 10 numri i personave të lënduar nga mjeti shpërthyes në tregun e Prizrenit. 5 prej të lënduarve nisen për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, pasi disa nga ta kanë pjesë të mjetit shpërthyes në trup.
Kështu ka deklaruar shefi i emergjencës në Prizren, doktor Hekuran Veçgishi.
Nëntë të lënduar nga shpërthimi i granatës në tregun e kafshëve në Prizren
Një granatë dore është hedhur pak çaste më parë në tregun e kafshëve në Prizren. Lajmin e ka konfirmuar për RTK-në, Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prizrenit.
Ai tha se për shkak të një mosmarrëveshje në mes dy palëve ka ardhur deri të hedhja e një bombe, ku për pasojë 9 persona janë lënduar. Sipas tij, policia është duke u marrë me rastin.
“Pak para orës 5 të mëngjesit Policia është njoftuar për një fjalosje në mes të dy palëve, ku njëri nga ata ka hedhur një bombë në tregun e kafshëve në Prizren”, tha ai.
Në vendngjarje kanë dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit dhe janë duke mbledhur provat dhe dëshmitë.
Të lënduarit janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.
