Historia është shkruar në Atlantikun Perëndimor! Për herë të parë, Kepi i Gjelbër do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, pas një fushate kualifikuese të jashtëzakonshme në zonën afrikane, ku përfundoi në vendin e parë në grup.
Ky shtet ishullor me vetëm 520 mijë banorë, që fitoi pavarësinë nga Portugalia në vitin 1975, arriti suksesin më të madh në historinë e tij me fitoren 3:0 ndaj Eswatinit (ish-Svaziland). Me këtë triumf, Kepi i Gjelbër siguroi biletën për Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Atmosfera në kryeqytetin Praia ishte elektrizuese. Biletat për ndeshjen historike u shitën në furra buke dhe stacione karburanti, ndërsa stadiumi me kapacitet 15 mijë vendesh ishte mbushur përplot.
Golashënuesit e mbrëmjes festive ishin Dailon Rocha Livramento, Willy Semedo dhe Stopira, të cilët me golat e tyre në pjesën e dytë vulosën kualifikimin dhe shpërthimin e festës kombëtare.
Si një ish-koloni portugeze, përfaqësuesja e Kepit të Gjelbër përbëhet kryesisht nga lojtarë që aktivizohen në Portugali dhe në kampionate të ndryshme evropiane. Disa prej tyre luajnë për klube si Trabzonspor, Başakşehir, Zwolle, Krasnodar dhe Casa Pia.
Me këtë arritje, Kepi i Gjelbër jo vetëm që la pas vetes Kamerunin – një nga favoritët e grupit, i mbushur me yje të Ligës Premier – por u bë edhe vendi më i vogël afrikan që kualifikohet ndonjëherë në një Kampionat Botëror.
Në të njëjtën kohë, ajo është skuadra e dytë më e vogël në histori që arrin në Kupën e Botës, pas Islandës në vitin 2018.
Një histori frymëzuese për një vend të vogël, por me ëndrra të mëdha – që tashmë do të përfaqësojë me krenari Afrikën në skenën më të madhe të futbollit botëror./Demokracia.com/