Saturday, March 28, 2026
BallinaVitrina e libritShqipe Bytyqi-KËMBËZBATHUR N’ÇORAPE T’LESHTA

Shqipe Bytyqi-KËMBËZBATHUR N’ÇORAPE T’LESHTA

Si pa kokë, në rrugë të madhe
truell e zemër, mbrapa lënë
tym, të shtëna, lemeri
Unë, shpirtvrarë
n’çorape t’leshta

“Prit,” thotë im shoq
kthehet prapa, tutje n’shtëpi
N’prag të shtëpisë
n’t’zeza veshur
të trishtë, të pështirë
shpirtdjaj në valle morti
tim shoq krahësh e mbërthejnë
jo të huaj, por fqinj e t’njohur mirë
Me këpucë t’mia në dorë, im shoq
“Ik, shpëto ti”

Gjaku m’ngriu
këmbët n’dhé
fryma n’grykë m’u lidh nyje
Britma ime, krejt e çjerrë

Hije t’zeza, sa shpejt ofrojnë
tallje perverse, ndjekje djajsh
Fqinji ynë n’krye të hordhisë
duar të zgjatura
zgërdhosje të jargosura
fytyra që i njihja mirë
“Ik, ik…”

Një krismë e zonuar në shtëpi
pastaj edhe një
dhe ra qetësi

E unë… s’nxjerr dot zë
i tëri i shtjerrë

Truell e zemër, mbrapa lënë
tym, të shtëna, lemeri
Mars i acartë, kudo borë

Unë, shpirtvrarë
në Tiranë, pata aguar
S’mbaj mend si
me çorape t’leshta, t’qullta fare
në dorë fort shtrënguar
shpresë e zë, krejt shterruar

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT