DY ÇAJUPËT
Pi ujë dhe ndihem më i etur
në krojet e Çajupit mal
dhe Çajupit poet.
Them:
çfarë i lidh kaq shumë
dy të mëdhenjtë?!
Ndoshta se e mbledhin
ujin e dëborës më në qiell
dhe e rrjedhin krua më krua,
e servirin vetë për mua
ta pi me grushta.
Unë, vetëm unë për ta pirë,
jo pse andej kaloj,
kam shtëpinë
dhe s’jam udhëtar i vonuar,
por ndiej etje të madhe
që dua ta shuaj me pijen e kërkuar.
Mos t’i lë krojet të derdhen në det,
ta deh dashurinë
nëpër Shën Valentinë
dhe në dy Çajupët: Mal dhe Poet.
